Lëvizja “Vetëvendosje” iu bëri thirrje sot të gjitha subjekteve politike opozitare që të mos i përgjigjen ftesës së Partisë Demokratike për ndonjë koalicion të ri të mundshëm, pasi siç u tha, nuk do t’i sjellë asnjë të mirë vendit.

Lideri i lëvizjes ”Vetëvendosje”, Albin Kurti, iu bëri thirrje të gjitha partive opozitare që të mos bëhen pjesë e qeverisjes me PDK-në, e cila siç tha, nuk i ka sjellë asnjë të mirë Republikës së Kosovës. Sipas tij, PDK është në kërkim të një koalicioni të ri për tri arsye: dhënien e autonomisë për veriun e Mitrovicës, shitja e Trepçës dhe shitja e PTK-së.

“Sot pa një koalicion të ri të PDK-së, nuk mund të ketë shitje të PTK-se, Trepçës dhe as autonomi për veriun. Prandaj lëvizja vetëvendosje iu bën thirrje të gjitha subjekteve opozitare që të mos bëjnë negociata me Thaçin dhe PDK-bë për koalicion qeverisës me ta. Ne jemi subjekti i vetëm që gjithmonë kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të nënshkruajnë moscionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që ka filluar nga Lëvizja “Vetëvendosje” më 2 dhjetor të vitit të kaluar.

“Është koha e fundit që edhe subjektet e tjera opozitare ta nënshkruajnë këtë mocion. Pra mocioni I mosbesimit ndaj kësaj qeverie është rruga e drejtë për të shkuar përpara dhe jo negociatat për negociata të reja qeverisëse, që e shpëtojnë kryeministrin duke e coptuar dhe shitur Kosovën”, tha ai.

Ndërkaq, Glauk Konjufca tha se tani në një vjetorin e ndërhyrjes së forcave speciale të policisë së Kosovës në veri të vendit, qeveria po përgatitet që për veriun të hyjë në negociata me Serbinë.

Ai përmendi edhe vizitën e Ban Ki Munit në Kosovë, duke theksuar se ai ka ardhur këtu për nisjen e dialogut politik për veriun e Kosovës. Konjufca tha se Ban Ki-moon nuk njeh institucionet tona politike nuk i pranoi ato duke i zhvilluar takimet në aeroport.

SHPËRNDAJE