Vetëvendosje: Kërkohet dorëheqje e qeverisë dhe zgjedhje të reja

Reagon Vetvendosje: Lëvizja “Vetëvendosje” kërkoi sot dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Këshilli i përgjithshëm i Lëvizjes ka marrë qëndrim, që, për shkak të situatës së rëndë politike dhe ekonomike në vend, të kërkojë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Kosovës.

Lëvizja “Vetëvendosje” mori këtë qëndrim duke analizuar situatën e përgjithshme të muajve të fundit dhe parashikimet për zhvillimet politike në të ardhmen.

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, tha se qeveria aktuale po bëhet gati për të shitur të gjitha pasuritë e Kosovës, si dhe, siç tha, për të vjedhur edhe më shumë buxhetin e Kosovës, përmes proceseve të dyshimta të privatizimit.

Kurti tha se kjo qeveri po pranon koncesionet që edhe më tutje po i bëhen Serbisë. Ai tha se qeveria nuk është duke bërë asnjë zgjidhje për vendin tonë, por vetëm probleme për qytetarët.

Shpend Ahmeti nga kjo Lëvizje, tha se gjatë muajve të fundit kanë konstatuar se qeverisja aktuale, është duke e rrënuar vendin dhe jo duke e ndërtuar atë. Prandaj, ka shumë arsye që kjo qeveri duhet të japë dorëheqje, tha ai.

Liderët e Lëvizjes Vetëvendosje, bënë të ditur se përmes aktiviteteve të ndryshme do të ndërmarrin hapa deri në dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ata thanë se përveç ngritjes së zërit në parlament, do të angazhohen në maksimum edhe më ndihmën e qytetarëve, duke kombinuar mjetet institucionale me ato jashtë institucioneve, në mënyrë që kjo qeveri të mos jetë më në pushtet.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni