Prishtinë, 31 maj – Greva e rreth 100 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa për 7 nga ta sot është dita e dytë e grevës së urisë. Ata thonë se nuk e kanë ndërmend të dalin nga greva pa u plotësuar kërkesa për përshpejtimin e miratimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së, pavarësisht gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të disa grevistëve.
Nesret Salihaj, anëtar i këshillit drejtues të grevës, thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga institucionet qeveritare dhe ligjvënëse lidhur me kërkesën e tyre.

“Ne kërkojmë një përgjigje prej tyre. E vetmja përgjigje e tyre është: ata kanë formuar një grup prej Parlamentit, përfaqësues gati të të gjitha partive, dhe kanë qenë për të na vizituar. I kanë marrë kërkesat tona dhe nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. Nuk e dimë se çfarë është duke u bërë rreth kësaj çështjeje”, thotë Salihaj.

Behar Selimi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thotë për Radion Evropa e Lirë se draft-ligjin për veteranët e UÇK-së, Qeveria e Kosovës ia ka dorëzuar Kuvendit dhe ai tashmë është duke u proceduar.

“Draft-ligji ka ardhur në Kuvend. Ne shpresojmë se gjatë qershorit do të bëhet leximi i parë i draft-ligjit, në mënyrë që brenda kësaj periudhe dymujore – nëse nuk ka shumë ndryshime, amendamentime, të kalojë edhe në Parlament”, thekson Selimi.

Por, grevistët nuk janë të njoftuar fare, nga askush prej institucioneve, lidhur me rrjedhat dhe procedurat që kanë të bëjnë me këtë ligj, thotë Salihaj.

Disa nga veteranët e UÇK-së, të cilët po bëjnë grevë urie, thonë se gjendja shëndetësore e tyre është e luhatshme. Njëri nga ta, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, rrëfen: “Gjendja e grevistëve është duke u bërë çdo ditë e më keq. Vazhdimisht ka probleme shëndetësore, për shkak të temperaturave, herë të larta e herë të ulëta”.

Haxhi Karaçica, i cili po ashtu po bën grevë urie, shprehet:

“Mua, personalisht, më kanë marrë dhe më kanë çuar në spital. Ashtu- kështu, dy herë kam pasur infarkt pas luftës. Më kanë thënë se duhet gjithsesi ta ndërpres grevën dhe të shkoj në shtëpi. Nuk e kam bërë këtë dhe nuk do ta bëj kurrë, derisa të realizohet kërkesa e të gjithë grevistëve që gjendemi këtu”.

Deputeti Selimi shpreh keqardhjen e tij për grevistët, por edhe dyshimet.

“Po ndjehem keq që ata po bëjnë grevë. Edhe më keq po ndjehem, sepse sikur dikush po përpiqet ta marrë kreditin për miratimin e ligjit gjatë këtij viti, gjë që edhe ashtu është në procedurë”, thotë Selimi.

Por, Salihaj përjashton çdo mundësi që greva të ketë prapavijë politike.

“Mua më vjen keq për ata njerëz që mendojnë se ka prapavijë politike. Ne e pranojmë përkrahjen e çdo partie politike që do të na përkrahë. Mirëpo, ne nuk jemi të shtyrë nga asnjë parti politike”, deklaron ai.

Sido që të jetë, deputeti Selimi kërkon nga grevistët që të ndalojnë grevën, sepse, siç thekson ai, ligji do të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur.(Koha.Net)

SHPËRNDAJE