Veteranët e luftës nacionalçlirimtare e kanë përkujtuar në 95 vjetorin e lindjes Abdullah Krashnicën-Preshevën. Në këtë tubim u tha se njerëzit liridashës, çlirimtar dhe atdhetar meritojnë gjithherë dhe gjithmonë të përkujtohen e nderohen nga brezat e rinj.
Gjilan, 3 tetor
Veteranët e luftës nacionalçlirimtare të Gjilanit, Preshevës dhe të trojeve shqiptare janë bërë bashkë në Gjilan për të përkujtuar njërin nga figurat e ndritshme të historisë së asaj kohe Abdullah Krashincën-Preshevën.Ramiz Bllaca në emër të organizatorit tha se po e përkujtojmë Abdullah Preshevën si njeri liridashës, çlirimtar dhe atdhetar i madh. “Të përkujtosh Abdullah Preshevën donë të thotë të kujtosh një pjesë të lavdishme të historisë e cila meriton gjithherë dhe gjithmonë të kujtohet e nderohet” tha Bllaca.

Këtë ngjarje e cila u mbajt në teatrin e qytetit në Gjilan e ka përshëndetur edhe Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit. Mustafa tha se duhet të respektojmë dhe të kemi kujdes për të gjitha formacionet çlirimtare të të gjitha kohërave. Mustafa tha se është mirë që po përkujtohen elitat tona çlirimtare edhe pse është mirë që të ketë një koncenzus të të gjitha luftërave pa e nënçmuar apo anashkaluar njëra tjetrën.

Mustafa tha se do të jetë përkrah këtyre organizimeve të rëndësishme historike sepse duke përkujtuar historinë, ne flasim dhe nuk e harrojmë as të ardhmen tonë tha Mustafa.

Vahide Hoda nga organizata e veteranëve të LNÇ në Prishtinë tha se Abdullah Presheva ka qenë njëri kontributdhënës për Kosovën dhe Luginën e Preshevës në veçanti. “Abdullah Presheva luftoj edhe me pushkë edhe me laps kundër gjermanëve, bullgarëve, duke e organizuar rininë e Preshevës. Revolucionari preshevar asnjëherë nuk u ndalë për të dhënë kontributin e tij që të vijë kjo ditë që po e gëzojmë sot” tha Hoda.

Një referat mbi veprimtarinë e Abdullah Preshevës e ka dhënë Sami Qerimi veprimtar nga Presheva . Edhe Vehap Shita veprimtar i njohur dhe krijues i madh e ka çmuar lartë veprën, guximin dhe atdhedashurinë e Preshevës.

Ndryshe më 15 mars 2012 janë mbushur 95 vjet që është lindur Abdullah Krashnica-Presheva, një patriot dhe atdhetar i devotshëm i popullit shqiptar, i njohur jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe më gjerë, në Anamoravën e Gjilanit dhe në Luginën e Vardarit(Kumanovë e Shkup).

Presheva sipas Xhemaledin Salihut historian nga Lugina ka vdekur në spitalin e Shkupit, më 1945, i helmuar nga armiqtë e popullit shqiptar dhe nga dora e zezë tradhtare. Vdiq në moshën 28 vjeçare, atëherë kur më së shumti i duhej familjes së tij, por edhe popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Gjilanit dhe Kumanovës.

Abdullah Krashnica u lind më 15 mars 1917 në Preshevën liridashëse, patriotike dhe revolucionare, në një familje tregtare. Presheva, gjithmonë mori pjesë në të gjitha Lëvizjet kombëtare dhe gjithherë i pati përfaqësuesit e saj në Lëvizjen gjithëkombëtare shqiptare. Në moshën dyvjeçare Abdullah Krashnicës i vdiq i ati dhe mbeti nën kujdesin e nënës Shefije Krashnicës-Aba Shefkë, si e quanin në Preshevë./rajonipress/

SHPËRNDAJE