Prof. Dr. Shefqet KRASNIQI

Kosova njihet edhe për festime, madje të shumta, ani pse festat e saj, në të shumtën e rasteve, dalin jashtë natyrës normale të tyre. 8 marsi shënohet si dita e gruas, por viteve të fundit duket sikur nëna, që është grua, femër, është përjashtuar dhunshëm nga kjo festë. Asaj, vetëm ndonjë nga fëmijët e pamartuar mund t’i ketë dhuruar ndonjë lule, ndryshe, 8 marsi ekskluzivisht po i dedikohet bashkëshorteve. Restorantet dhe kafenetë e ndryshme, siç u raportua në medie, ishin përplot, por vetëm me çifte. Andaj, konsideroj se ndoshta më mirë ka qenë që kjo datë të njihet si ‘dita e bashkëshorteve’, pasi që veç këtyre po iu kushtohet.

Nejse, javën e kaluar, Kosova shënoi edhe përvjetorin e 14-të të rënies heroike të familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jasharin. Aktin heroik të rënies së kësaj familjeje për lirinë e këtij vendi vetëm një i çmendur mund ta injorojë. Ata gati sa nuk u shuan tërësisht për lirinë tonë, e sigurisht, se bashkë me ta u flijuan edhe qindra të tjerë. Pati edhe shumë sosh prej tyre që u plagosën, e që madje edhe sot e kësaj dite vuajnë pasojat, kanë mbetur invalidë. Nga lufta kanë fituar vetëm gjymtimet trupore, ndryshe, përkujdesja shtetërore për ta është nën çdo nivel. Thuajse nuk kanë luftuar për këtë vend. Në fakt, jo vetëm këta, por një pjesë e madhe, duke futur këtu edhe kontributin e familjes Jashari, janë injoruar në heshtje. Nëse është bërë diç, është bërë sa për të hedhur hi syve. Na kanë lodhur me fjalorin e tyre hiperbolistik, duke ngritur këto figura madje deri në piedestale hyjnore. Jam i bindur se nuk kuptojnë çka flasin. Me këtë, nuk them se fjalët miradije për martirët apo dëshmorët -siç i quajmë ne në fjalorin fetar- janë të pavenda, porse më pengon shumë formaliteti dhe kundërthënia ndërmjet fjalëve dhe veprave. Shumë më mirë do të kishte qenë sikur të thuhej se ja çfarë është bërë për këta burra në vend se të flitet për vetveten, kur realisht asgjë nga ato fjalë nuk shihet në praktikë.

Ajo, që në fakt, unë dua këtu, ka të bëjë me disa sqarime për pozitën e dëshmorit. Jo rrallë njerëzit më pyesin se ata që kanë vdekur (janë vrarë) janë shehid apo jo? Normalisht, ne nuk mund të themi më shumë se atë që ka thënë Pejgamberi [alejhis selam] kur është pyetur për ata njerëz të cilët luftojnë dhe vdesin: “Ai i cili lufton që fjala e Allahut të jetë më e larta, ai është në rrugë të Allahut!” Pra, ky është shehidi. Sigurisht, se në kuadër të ‘ngritjes së fjalës së Allahut’, hyn edhe luftimi për atdhe, ngase me të synohet që njerëzve t’iu mundësohet adhurimi i Zotit, lirshëm dhe pa asnjë frikë. Edhe më qartë, këtu, sikur në çdo punë tjetër, kërkohet që lufta jote të jetë për hire të Allahut, e jo për ndonjë interes të kësaj bote. Këtë, mendoj,  e dinë gati të gjithë shqiptarët, të rinj dhe të vjetër.

Një ditë, një ish luftëtar i UÇK-së, i cili kishte mbetur i plagosur në luftë, nëpërmjet një letre ma drejtonte një pyetje, ku shkruante: “Në kohën gjatë luftës nuk jam falur, por gjithherë betejën e kemi filluar me emër të Allahut, madje shumë shpesh e kemi përmendur Allahun, në veçanti unë. Shumë lutesha që Ai të na ndihmonte, sepse e dija se pa ndihmën e Tij nuk ka sukses…” Shumë u gëzova për sjelljen e tij, për besimin e tij që e ka pasur në Allahun e Madhëruar. E mendoj se të tillë kanë qenë edhe shumë të tjerë. Ne nuk mund të paragjykojmë me emër veç e veç se a është shehid apo jo, ngase Allahu është Ai i cili i pranon njerëzit për të tillë ose jo, Ai ua di nijetin dhe veprat dhe në përputhje me to edhe i shpërblen. Por, ajo që dimë ne është se shehidi nuk vdes, ai është i gjallë, bile ka një jetë shumë të mirë dhe të ëmbël, ai është i kënaqur atje tek Zoti i tij. Thotë Allahu për dëshmorët:

 

Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s’ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” (Ali Imran: 169-171.)

Ky është një argument për vlerën e veprës së tyre. Është një pjesë e të mirave që i shijojnë ata tek Zoti i tyre. Ata vërtetë janë të gjallë, siç nënvizon ajeti në fjalë, janë të gjallë shpirtrat e tyre duke bredhur e shëtitur nëpër xhennete, duke shijuar të mirat e Zotit që i ka krijuar për ta. Por, janë të gjalla edhe veprat e tyre për ne, andaj ia vlen që herë pas herë t’i kujtojmë sakrificat e tyre, në mënyrë që më shumë t’ia dimë vlerën lirisë. E përsërisë, me gjithë respektin e madh që kam për familjen Jashari, për të gjallët dhe të vdekurit e tyre, për rahmetlinjtë bacën Shaban, Hamzën dhe Ademin, madje kemi shumë shpresë tek i Madhi Allah që t’i ketë pranuar për shehidë, sidomos kur dimë dashurinë dhe respektin e tyre për fe, por mënyra se si po festohet, vit pas viti epopeja, nuk është me vend. Duke filluar nga shpenzimet enorme e deri tek nderimet formale, me përkulje para varrezave,  janë gjëra për të cilat ne shprehim vërejtjet tona. Shumë më mirë do të ishte që liderët tanë, shumica prej të cilëve janë muslimanë, të çonin duart lart qiellit, për ta lutur Allahun për t’i shpërblyer ata, sesa të bënin këto veprime, që përkojnë me tradita idhujtare. Jemi mësuar të shohim liderët perëndimorë që në ceremonitë mortore, por edhe në përkujtime, të organizojnë këto aktivitete edhe në kisha e katedrale, por liderët tanë, muslimanë, nuk i shohim dot në xhamia, madje as për festa e gëzime.

Liderët tanë i kanë dhënë vetes edhe një të drejtë papnore (që nuk ekziston te muslimanët) për të shenjtëruar edhe vende. Prekazin e cilësojnë vend të shenjtë, por praktikisht e kanë lënë pas dore fare. Vendet e shenjta, përveç që vizitohen shumë, atyre iu kushtohet edhe kujdesi maksimal. Prekazin e vizitojnë për një përkulje, e ‘pa ndalë fare veturat’, kthehen me të shpejtë në to. Prekazin nuk e kanë vend për inspirim, ndryshe mësimet që reflektojnë prej tij nuk do të lejonin këtë gjendje të mjerë në të cilën jemi. Por, ç’të bësh, kështu e ka politika, ‘më shumë rrena se të vërteta!

Epopesë do të duhej hequr nga protokolli ndezja e zjarreve. Nuk është traditë monoteiste. Ne jemi muslimanë dhe shumica absolute e të vrarëve tanë kanë qenë muslimanë, andaj duhet të sillemi ndaj tyre ashtu siç i ka hije myslimanëve.

E di se këto fjalë, që për Zotin burojnë nga zemra dhe nuk kanë qëllim tjetër vetëm se përmirësimin e kësaj shoqërie, mund të mos priten mirë nga shumë njerëz, e ka të atillë që nuk i dinë, por, përderisa janë veprime të rrezikshme, që në raste të caktuara mund ta rrezikojnë tërësisht identitetin fetar islame,  këtë dikush duhet t’ua thotë.

Ne e duam luftën e Kosovës, i duam dëshmorët, i duam të gjithë ata që kanë kontribuar në çfarëdo mënyre për ta çliruar vendin. Bile i duam edhe tërë popullin edhe ata që kanë ikur nga lufta, sepse atë e kanë bërë nga mos dija dhe mos njohja e sevapit dhe shpërblimit të madh që e ka pjesëmarrja në luftë.

Allahu i pastë mëshiruar dëshmorët tanë të luftës, i pastë shpërblyer edhe të gjithë ata që janë lënduar e maltretuar në çfarëdo forme gjatë rezistencës kundër armikut. Allahu na drejtoftë të gjithëve e na bëftë të dobishëm për shoqëri, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

 

SHPËRNDAJE