http://www.botasot.info/img/dogana.jpgNjohës të çështjeve ekonomike në vend, thonë se zvogëlimi i kësaj dukurie do të ndikojë në rritjen e të hyrave për buxhetin, por edhe në rritjen e gjithmbarshme ekonomike dhe uljen e varfërisë.
Vendosja e kontrollit në veri të Kosovës, pritet të ketë ndikim edhe në zvogëlimin e ekonomisë joformale, që vazhdon të jetë shqetësuese.

Njohës të çështjeve ekonomike në vend, thonë se zvogëlimi i kësaj dukurie do të ndikojë në rritjen e të hyrave për buxhetin, por edhe në rritjen e gjithmbarshme ekonomike dhe uljen e varfërisë.

Ekonomia joformale, e njohur edhe si ekonomi gri, vazhdon të jetë një ndër dukuritë më shqetësuese në Kosovë dhe pengesë e madhe e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, sipas vlerësimeve, ajo përfshin rreth gjysmën e ekonomisë së përgjithshme, thonë njohësit e çështjeve ekonomike.

Artan Nimani, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se mbi një miliard euro është buxheti që qarkullon në ekonominë joformale, që është përafërsisht njëjtë sa buxheti formal i Qeverisë së Kosovës.

“Mendoj që ekonomia joformale në Kosovë është e barabartë me ekonominë formale, që do të thotë është një rrezik permanent për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për kriminalizimin e ekonomisë. Hapat e parë Qeveria i ka marrë, siç është fiskalizimi i bizneseve, hapi i dytë që e ka ndërmarrë më 25 korrik, që ka qenë funksionalizimi dhe futja në kontroll e pikave kufitare”, thotë Nimani.

Hulumtuesja e Institutit për studime të avancuara Gap, Rudina Heroi, thotë se pas vendosjes së kontrollit në veri të Kosovës, është ulur ndjeshëm kontrabanda në atë pjesë, por është rritur në pjesët tjera. Sipas saj, shumë faktorë ndikojnë që bizneset të operojnë në ekonominë joformale.

“Ekonomia joformale arrin prej 40 deri në 60 përqind. Për momentin ambienti i pafavorshëm legal dhe politik në vend, mosfunksionalizimi i duhur i gjykatave, si dhe korrupsioni i lartë, të gjitha këto po ndikojnë që bizneset të operojnë në ekonopminë joformale dhe nuk kanë arsye konkrete për të vepruar legalisht”, thotë Heroi.

Kontrolli i plotë në të gjitha pikat kufitare, dhe një kontroll më i mirë brenda vendit do të ndikojnë që kontrabanda dhe ekonomia joformale të zvogëlohen ndjeshëm, dhe kjo do të reflektohej edhe në uljen e varfërisë, thotë Heroi.

“Sigurisht që ulja e informalitetit do të ndikonte pozitivisht në rritjen ekonomike, më shumë kompani do të paguanin taksat, pastaj Qeveria do të kishte mundësi të investonte në prodhim apo të jepte subvencione e kështu me radhë”, thekson Heroi.

Në ekonominë joformale ka shumë të punësuar, të cilët punojnë pa kontrata pune dhe pa kurrfarë mbrojtjeje ligjore. Ndërkaq, zvogëlimi i kësaj dukurie është edhe pjesë e programit qeveritar për zhvillim ekonomik.

SHPËRNDAJE