Vendoset rroga minimale në Maqedoni

Rroga minimale në Republikën e Maqedonisë do të jetë 8.050 denarë në neto ose 12.265 në bruto vlerë, arritën marrëveshje tre partnerët socialë – Qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat.

Niveli i konfirmuar i rrogës minimale ka të bëjë me rrogën themelore për kohë të plotë të punës, respektivisht në vlerën nuk janë përfshirë shtesat e rrogës, të cilat nëse ekziston bazë për pagesë, shtohen në vlerën e konfirmuar. Nëse i punësuari nuk i realizon rezultatet e pritura, rroga minimale zvogëlohet sipas asaj që është punuar.

“Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së pavarur, pas 20 viteve negociata me garnitura të ndryshme – politike, ekonomike dhe sindikale, është arritur marrëveshje për konfirmimin e rrogës minimale. Premtimi i dhënë u plotësua”, tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski në konferencë për shtyp pas përfundimit të seancës së këshillit ekonomiko-social.

Ai theksoi se me këtë marrëveshje do të përmirësohet situata e 65 mijë të punësuarve, rroga e të cilëve në këtë moment është nën nivelin e propozuar. Paralajmëroi miratimin e ligjit për rrogë minimale deri nga fundi i vitit, i cili do të fillojë të zbatohet nga viti 2012.

Punëdhënësit dhe sindikatat kanë shprehur kënaqësi që për herë të parë po konfirmohet rroga minimale në shtet, me të cilën do të sigurohet para së gjithash siguria materiale për punëtorët.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni