Mbi 30 mijë vendeve të reja pune, heqje e 60 taksave si dhe hartimi i Planit Rregullues të kryeqytetit

Me të marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të ri të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha do të vendosë në zbatim platformën e tij ambicioze për ndryshimin e kryeqytetit shqiptar. Kryebashkiaku Basha do e nisë punën me krijimin e Agjencisë së Konsumatorëve, e cila do të shqyrtojë problemet e qytetarëve me njësitë publike. Po ashtu kjo agjenci do të ndërmarrë veprime për të ndaluar spekulimet në treg nga njësitë tregtare, të cilat deformojnë konkurrencën. Vendimi i dytë i kryetarit të ri të Bashkisë Tiranë do të jetë krijimi i Agjencisë së Punësimit. Përmes politikave lehtësuese të kësaj agjencie, Basha do të realizojë prioritetin e tij numër një gjatë mandatit të tij të parë, krijimin e të paktën 30 mijë vendeve të reja të punës. Përfundimi i planit urbanistik dhe vënia në jetë e planit turistik, do të jetë vendimi i tretë që Basha pritet të marrë që në muajin e parë në drejtimin e Bashkisë më të madhe në vend. Plani i ri do të ketë si orientim kryesor respektin për pronën private dhe rifitimit të hapësirës publike në favor të të gjithë qytetarëve. Basha do të vejë në jetë programin e tij, i cili i jep zgjidhje problemeve të shumta, që Tirana ka, duke filluar nga punësimi, zhvillimi i lagjeve, ulja e taksave dhe reduktimi i tyre, plani i ri urban, krijimi i hapësirave të reja publike etj.

Vende të reja pune

Kryebashkiaku Basha synon që vetëm në dy vitet e para të mundësojë krijimin e mbi 30 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët e Tiranës. Qytetarët do të kenë më shumë mundësi punësimi dhe papunësia do të ulet ndjeshëm, duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit të biznesit të vogël, të mesëm e të madh shqiptar apo të huaj. Garanci për këtë është zbatimi me përpikmëri nga administrata e re e Bashkisë e programit për zhvillimin e fuqishëm ekonomik dhe investimet publike në infrastrukturë. Administrata e re e Bashkisë do të thjeshtëzojë procedurat administrative për të gjitha bizneset. Basha do të nxisë krijimin e parqeve industriale, si dhe do të përdorë forma të ndryshme të partneritetit publik-privat për zhvillimin ekonomik. Përmes krijimit të Agjencisë së Punësimit qytetarët do të mund të marrin informacion mbi tregun e punës përmes ngritjes së një sistemi bashkiak të informacionit. Në kujdesin e kryebashkiakut Basha, qytetarëve do t’u lehtësohen kontaktet me punëdhënësit e kryeqytetit. Bashkia do të nxisë afrimin e shkollës dhe universiteteve me biznesin, duke krijuar mundësi për praktika mësimore pranë Bashkisë dhe gjithë rrjetit institucional apo partnerëve privatë të saj, si dhe përmes zgjerimit të arsimit dhe trajnimit profesional. Për këtë qëllim, Basha si kryebashkiak do të bashkëpunojë ngushtë me komunitetin e biznesit, shkollat, universitetet, median, shoqërinë civile, si dhe me strukturat e specializuara të qeverisë dhe bashkitë e komunat fqinje. Programi dhe angazhimi i Bashkisë do të mbështetet në performancën mjaft të mirë të ekonomisë shqiptare, e cila po iu rikthehet ritmeve të larta të rritjes ekonomike dhe mundësitë për punësim po fillojnë të rigjallërohen bazuar në politikat efektive të qeverisë për rritjen ekonomike dhe nxitjen e punësimit.

Heqje e 60 taksave dhe ulje 2 deri 5 herë e atyre që mbeten

Ndër veprimet e para në krye të Bashkisë, Basha do të shkurtojë 60 taksa dhe tarifa vendore, si dhe do të ulë 2 deri në 5 herë taksat që mbeten. Kjo politikë fiskale e Bashës parashikon që brenda një periudhe të shkurtër të krijojë bazë më të gjerë taksapaguesish, duke rritur të ardhurat, të cilat do të shpenzohen për investime publike në infrastrukturë dhe për shërbimet më të rëndësishme të qytetit. Përmes aplikimit të politikës së re fiskale qytetarët do të përfitojnë reduktimin e taksave e tarifave në më pak se 20 të tilla, ndërsa do të ulet me 2-5 herë niveli i pjesës më të madhe të taksave e tarifave. Nga ana tjetër, Basha do të rrisë vigjilencën e administratës në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe diferencimet e padrejta. Duke i kthyer frymën e bashkëpunimit reformës së decentralizimit, do të thellohet decentralizimi fiskal dhe do të realizohet edhe ndarja e tatimeve në mënyrë që kontributet fiskale të qytetarëve të Tiranës të mbeten në shërbim të buxhetit të qytetit të tyre. Qytetarët do të gëzojnë rigjallërimin ekonomik të qytetit, rritjen e investimeve shqiptare dhe të huaja, si dhe të punësimit e vetëpunësimit. Rezultati i këtyre politikave parashikohet të sjellë një rritje me të paktën 2,5 herë të të ardhurave të Bashkisë, ndërsa kjo politikë fiskale do të ketë një efekt mjaft pozitiv në uljen e barrës fiskale mbi bizneset dhe pra, në gjallërimin e bizneseve dhe shtimin e punësimit. Shpenzimet e Bashkisë do të orientohen në kryerjen e investimeve të programuara në infrastrukturë dhe shërbime prioritare. Pesha e tyre do të kalojë nivelin e 40% të buxhetit, ndërsa do të ulen ndjeshëm pesha e shpenzimeve për paga dhe ato administrative. Qytetarët do të mund të ndjekin nga afër politikat fiskale dhe buxhetin, që do të jenë proceset më të hapura, më transparente e më përfshirëse në formulim, zbatim dhe vlerësim.

Plani i ri rregullues brenda vitit të parë

Kryebashkiaku Basha do të hartojë një plan bashkëkohor rregullues për qytetin brenda vitit të parë qeverisës pa ngrirë zhvillimin siç ka bërë Bashkia në 3 vitet e fundit.

Plani i ri do të mbështetet në 7 pika kryesore:

1. Një strategji për të rigjallëruar sektorin ndërtimor dhe duke e vënë atë në shinat e standardeve dhe cilësisë së shërbimit për qytetarët.

2. Një strategji për të pasur një ekonomi dhe investime të larmishme në Tiranë, duke tërhequr investime jo vetëm për banim, por edhe për hoteleri, universitete e shkolla, qendra tregtare, kinema, qendra kulturore dhe park teknologjik.

3. Një formulë të suksesshme për një menaxhim të drejtë të pronës, Tirana nuk duhet të njihet më si oferta spekulative e sektorit të ndërtimit, por si vendi i shanseve të barabarta në investim.

4. Një strategji reale rajonale në konsultë dhe në koordinim me autoritetet lokale përreth Tiranës, si dhe në përputhje me politikat qeverisëse.

5. Një plan të qartë se si të ndërhyhet në çdo lagje banimi për një planifikim real dhe rritje të cilësisë së jetesës në blloqe banimi. Ky plan do të realizohet përmes një marrëveshjeje transparente me universitetet që kanë ekspertizë në këtë fushë.

6. Procesi i planifikimit do të jetë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës.

7. Ndihma sociale.

Fund çmimeve abuzive ndaj konsumatorëve

Bashkia nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të saj do të mbrojë konsumatorët nga çmimet abuzive dhe bizneset nga konkurrenca e pandershme. Kryetari i ri i Bashkisë Basha do të vejë në jetë që në ditët e para të detyrës një plan të mirëdetajuar, i cili i jep mundësi banorëve të Tiranës të blejnë mallrat e të përfitojnë shërbimet me çmime të arsyeshme, si dhe të mund të strehohen me kosto të përballueshme. Akti i parë i Bashës si kryebashkiak do të jetë krijimi i një Agjencie Bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit, që do të ketë detyrë parësore inspektimin, raportimin dhe turpërimin publik të çdokujt që spekulon me çmimet në Tiranë, nga buka dhe karburanti, tek strehimi d
he shërbimet. Mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive dhe mallrat jocilësore, si dhe mbrojtja e bizneseve nga konkurrenca e pandershme, do të jetë një angazhim i plotë i Bashkisë. Konkurrenca e ndershme është çelësi i tregut të lirë, çmimeve të ulëta dhe mundësive më të mëdha. Të gjithë nivelet e qeverisjes duhet të luajnë rolin e tyre, duke filluar nga Bashkia. Basha do të punojë për përmirësimin e infrastrukturës, për të ulur koston e transportit që lidhet me mallrat dhe shërbimet në mënyrë që këto kursime t’i kalojnë konsumatorit. Qytetarët do të kenë lehtësime, duke e bërë koston e jetesës në Tiranë të përballueshme. Kjo do të vijë si pasojë e zhvillimit të fuqishëm ekonomik dhe investimeve masive publike në infrastrukturë. Fondet e Bashkisë do të përdoren me efikasitet, transparencë e ndershmëri dhe do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve në nevojë në format e përkrahjes sociale, do të lehtësojë peshën e rritjes se çmimeve mbi shtresat në nevojë.

SHPËRNDAJE