Vëllai i vogël i Kryeministrit po ndërton kompleks banesash

Blerim Thaçi është hisedar në kompaninë “Iliria Building” që po ngret një kompleks banesor në Prishtinë, ndërtimi i së cilës mund të kushtojë rreth 4 milionë euro. Thaçi dhe ortaku i tij Milaim Cakiqi, i cili është fqinj i Kryeministrit dhe bashkëpronar i Liria FC që kishte qenë e përfshirë në një privatizim të manipuluar, nuk kanë pranuar të tregojnë prejardhjen e fondeve që po i investojnë. Kompania e tyre ishte regjistruar në janar 2009 dhe në faqen e saj në internet nuk figuron se ka kryer ndonjë projekt tjetër.
Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit Hashim Thaçi, është bërë pjesë e tregut të shitjes së patundshmërive. Ai është hisedar në një kompleks milionësh që është duke u ndërtuar në lagjen Mati 1 në Prishtinë.

“Iliria Building”, një kompani e përbashkët e Blerim Thaçit e Milaim Cakiqit, planifikon të ndërtojë 102 banesa në dy objektet e kompleksit “Blloku A 21”, bazamentet e së cilave tashmë janë ngritur.

Blerim Thaçi nuk ka pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi edhe pse kjo i është kërkuar për dy javë rresht. Ai nuk figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që ka pasur ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.

Edhe Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili është pyetur nëse e di që i vëllai është i përfshirë në biznesin e patundshmërive, nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Abelard Tahiri, fillimisht ka premtuar se do të njoftonte kreun e ekzekutivit për pyetjet, por më vonë nuk pranuar të komentonte për këtë çështje.

Milaim Cakiqi, ortaku i vëllait të Kryeministrit, ka thënë se aksionarët nuk janë të obliguar të flasin për “Iliria Building”.

“Ne jemi privatë dhe nuk japim llogari për punën tonë. Është çështje e jona se çka bëjmë dhe si investojmë”, ka thënë Cakiqi. “Blerimi është vëlla i Kryeministrit por kjo nuk do të thotë që obligohemi të përgjigjemi për biznesin tonë”

Milaim Cakiqi është fqinj i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në lagjen “Prishtina e Re-Perëndimi” afër Veternikut. Ai gjendet edhe në listën e banorëve të kësaj lagje që kanë marrë pëlqimin urbanistik për të ndërtuar në këtë zonë.

Parcela me numër 28/7, ku është duke u ndërtuar kompleksi “Iliria Building”, ka një hapësirë prej 3 mijë e 729 metra katrorë. Sipërfaqja për ndërtim në këtë hapësirë, sipas shënimeve në faqen zyrtare të kësaj kompanie është mbi 23 mijë e 390 metra katrorë.

“Blloku A 21” është i ndarë në dy objekte në të cilët do të ndërtohen 102 banesa sipërfaqja totale e të cilave është mbi 9 mijë e 700 metra katrorë. Hapësira për ndërtimin e lokaleve afariste ka një sipërfaqe prej 1593 metra katrorë ndërsa sipërfaqja e parkingut ka një hapësirë prej 5 mijë e 269 metra katrorë.

Trotuaret, pllatotë dhe rrugët brenda kompleksit kanë një hapësirë prej 1298 metra katrorë , korridoret kanë 1606 metra katrorë , etazhet teknike kanë një hapësirë prej 836 metrash katrorë ndërsa sipërfaqja e gjelbëruar ka një hapësirë prej 768 metrash katrorë.

Veç banesat e lokalet afariste kanë një hapësirë prej 11 mijë e 200 metrash katrorë.

Kompanitë e ndërtimit – Kompanitë “Al Trade” dhe “Standard” kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë – se mesatarja e kostos për ndërtimin e një metri katror në Prishtinë sillet prej 350 deri në 400 euro.

Në bazë të kësaj mesatareje, ndërtimi i banesave e lokaleve afariste me sipërfaqe prej mbi 11 mijë e 200 metrash katrorë mund të kushtojë afro 4 milionë euro. Ndërsa mesatarja e shumës që sigurohet nga shitja e tyre mund të shkojë deri në 7-8 milionë euro, që i bie 3-4 milionë euro profit.

Ndërkohë kompania “Iliria Building”, sipas Gazmend Mejzinit, kryeshef në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, është regjistruar më 14 janar të vitit 2009.

Në regjistrin e biznesit figuron se ka statusin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar ku kapitali themelues për regjistrim është 10 mijë euro. Kjo kompani, siç figuron në certifikatën e biznesit, ka vetëm dy punëtorë.

Adresa e saj shënohet se është Çagllavica. Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Milaim Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.

“Iliria Building” ka për aktivitet kryesor Tregtinë me Pakicë të Karburanteve dhe Lubrifikanteve ndërsa është e regjistruar edhe për aktivitete tjera si ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët si dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me ndërmjetësim në tregtinë e lëndëve djegëse, xeheve, metaleve dhe produkteve industriale kimike.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni