Për shkak të lidhjeve të afërta familjare me Jugosllavinë dhe Serbinë, sipas medieve serbe, Dienstbier me dëshirë dhe i gatshëm pranoi që në vitet 1998-2001 të jetë raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi.

Pragë, 8 janar – Në kryeqytetin e Çekisë ka vdekur Jiri Dienstbier, ish-disident çekosllovak, ish-shef i diplomacisë çekosllovake dhe raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi.  Bashkëshortja e tij ka njoftuar agjencinë QTK që ai ka vdekur në moshën 73-vjeçare në spital, pas një sëmundje të gjatë. Deri në momentet e fundit megjithatë ai ka qenë aktiv. Së fundi ishte senator i pavarur, i përkrahur nga Partia Social-Demokratike e Çekisë që është në opozitë, por ka qenë edhe kryetar i Këshillit për Politikë të jashtme, mbrojtje dhe siguri.  Regjimi totalitar në Çeki e ka burgosur për shkak të aktivitetit në Komitetin disident për mbrojtjen e të ndjekurve padrejtësisht nga viti 1979 deri në vitin 1982.  Ka bashkëpunuar ngushtë me Vaclav Havelin në Lëvizjen disidente “Karta 77” dhe ka qenë dy herë zëvendës i tij më 1979-1985. Ai bashkë me Havelin ishte një nga udhëheqësit e Revolucionit të vitit 1989, ndërsa në qeverinë e re demokratike pas rënies së komunizmit është emëruar si shefi i parë i diplomacisë çekosllovake.  Për shkak të lidhjeve të afërta familjare me Jugosllavinë dhe Serbinë, sipas medieve serbe, Dienstbier me dëshirë dhe i gatshëm pranoi që në vitet 1998-2001 të jetë raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi. Dienstbier është i njohur nga Kosova dhe shqiptarët si serbofil për shkak kundërshtimit të  bombardimit të Serbisë më 1999, si dhe, siç shkruajnë mediet serbe, kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

SHPËRNDAJE