Statistikat e publikuara sot tregojnë se PPK në bllokun me 17 vende u tkurr me 0.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Dy ekonomitë më të mëdha të Evropës, Gjermania dhe Franca arrijnë t’i shmangen recesionit, por të dhënat e publikuara të martën tregojnë se prodhimi i përgjithshëm kombëtar në bllokun me 17 vende u tkurr me 0.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Shifrat e reja nga agjencia evropiane e statistikave, Eurostat, tregojnë se ekonomitë e vendeve të eurozonës dhe të Bashkimit Evropian u tkurrën me 0.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit.

I vetmi lajm i mirë erdhi nga Gjermania dhe Franca. Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, shënoi një rritje modeste prej 0.3 për qind. Ekonomia e dytë e Evropës, Franca, ndonëse pritshmëria ishte që të binte në recesion, arriti ta shmangë këtë. Për të tretin tremujor radhazi, ekonomia franceze shënon një rritje prej zero për qind.

Një ekonomi quhet e përfshirë nga recesioni kur shënon rritje negative në dy tremujor radhazi. Shumica e qeverive evropiane kanë zbatuar shkurtime jopopullore shpenzimesh në përpjekje për të ulur deficitet, por masat e ashpra financiare kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik.

Duke folur në radion franceze, Ministri francez i Ekonomisë dhe Financave Pierre Moskovici shprehu një optimizëm modest për këto statistika.

“Ka disa shenja inkurajuese, duke përfshirë një përmirësim të vogël në investime. Por fakti që ekonomia e Francës ishte disi më mirë se ajo e Italisë dhe Spanjës, nuk do të thotë se zhvillimi i ekonomisë franceze ishte i mjaftueshëm”.

Analistët theksojnë se treguesit ekonomikë janë shqetësues. Konsumi i familjeve franceze u tkurr në tremujorin e dytë dhe papunësia është gati 10 për qind.

Ekonomisti Nicolas Bouzou, drejtor i grupit të Asteres, i tha radios RTL se qeveria socialiste në Francë përballet me sfida të mëdha, ndërkohë që ajo po përpiqet të inkurajojë rritjen ekonomike, të ulë papunësinë dhe të shkurtojë deficitin.

Ekspertët po vëzhgojnë me kujdes Francën, nga frika se Franca mund të bëhet vendi i ardhshëm që goditet nga kriza e eurozonës. Disa analistë shqetësohen se vjeshta mund të sjellë më shumë lajme të këqija për eurozonën.

SHPËRNDAJE