Ambasadori i sapoemëruar i SHBA-ve në Shkup, Paul D. Wohlers deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë t’i jap mbështetje të fuqishme integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-alantike.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Popovski, Ambasadori Wohlers i përshëndeti marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike si dhe dialogun e vazhdueshëm politik mes dy vendeve, duke përsëritur mbështetjen e fuqishme dhe principiele të SHBA-ve për integrimet euroatlantike të Maqedonisë.

Në këtë kontekst, e theksoi gatishmërinë e anës amerikane për ti ndihmuar Maqedonisë në arritjen e qëllimeve të saja.

Diplomati amerikan tregoi gatishmëri për dialog të hapur, si dhe angazhimin e tij aktiv dhe personal në zhvillimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, me interes të dyashëm.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski shprehu kënaqësinë për emërimin e ambasadorit të ri amerikan, si njohës i mirë siç tha ai, posaçërisht i rajonit dhe Maqedonisë.

Njashtu i dëshiroi sukses në realizimin e këtij funksioni me përgjegjësi, duke shprehur pritjet se bashkëpunimi i suksesshëm dhe zhvillimi i trendit pozitiv i marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes Maqedonisë dhe SHBA-se do të vazhdojnë edhe gjatë misionit të tij.

Paul D. Wohlers, ambasador i gjashtë i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, së bashku me bashkëshorten e tij, sot në mëngjes në ora 11:42 minuta arritën në Shkup.

Ambasadori Wohlers është diplomat kariere, të cilin me 2 gusht 2011 Senati e konfirmoi si ambasador të SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë. Para emërimit për ambasador, ai punonte si zëvendës sekretar ekzekutiv në Departamentin e Shtetit.

Wohlers ka qenë drejtor i Zyrës së çështjeve të Kaukazit dhe konflikteve rajonale në Byronë për çështje të Evropës dhe Euro-azisë, zëvendës shef i misionit dhe ushtrues i detyrës ambasador në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, zëvendës drejtor i Shtabit të sekretariatit ekzekutiv dhe zyrtar i lartë në Qendrën e Operacioneve, njofton INA.

Më herët, Wohlers ka mbajtur poste diplomatike në ambasadat e SHBA-ve në Bukuresht, Moskë dhe Nikozi. Në Uashington, Wohlers ka punuar në çështje të kontrollit të armëve në Byronë për çështje politike dhe ushtarake dhe ka kryesuar Deskun për Bangladeshin në Byronë për çështje të Azisë Jugore. Ai poashtu ka punuar në Shtabin e sekretariatit ekzekutiv.

Para se t’i bashkangjitet Stejt Departamentit, ambasadori Wohlers ka shërbyer si oficer i aviacionit detar. Ai ka diplomuar në Akademinë detare të SHBA-ve, ndërsa titullin Juris Doctor e ka fituar në Univerzitetin e Uashingtonit.

SHPËRNDAJE