Vatikani ka nisur hetimet e shtatë priftërinjve të urdhrit të Legjionit të Krishtit, të përfshirë në një skandal të abuzimit seksual me të mitur, njofton Associated Press.

Themeluesi i Legjionit të Krishtit, Marcial Maciel, abuzoi seksualisht shumë djem të vegjël dhe të rinj, përgjatë një periudhe prej tre dekadash. Ai u dënua nga autoritetet meksikane dhe u syrgjynos publikisht nga Vatikani në vitin 2006, kur u zbulua skandali.

Sipas Associated Press, një prej rasteve të abuzimeve të dyshuara të shtatë priftërinjve ka ndodhur së fundmi, ndërsa të tjerët shtrihen në një periudhë prej disa dhjetëra vitesh në të shkuarën.

Deri në përfundimin e hetimit, shtatë priftërinjtë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për motive të kuptueshme, do të ndalohen që të punojnë me të miturit.

Më parë, urdhri i Legjionit të Krishtit e cilësoi rastin e Maciel si një “incident të izoluar”. Nëse do të provohet se edhe anëtarë të tjerë të urdhrit kanë qenë të përfshirë në këto vepra të turpshme, atëherë Papa Benedikti XVI mund të urdhërojë shpërbërjen e urdhrit. /tch/Telegrafi/

SHPËRNDAJE