Holandezi, Robin van Persie ka shënuar het-trik, me skuadrën e Manchesterit, në fitoren që e arritën në udhëtim ndaj Southamptonit, me rezultat 3:2.


Manchester United edhe ashtu ishte vlerësuar se ka realizuar tranfserin më të qëlluar gjatë afatit të fundit kalimtar. Ata me shumë mund ia dolën të sigurojnë shërbimet e kapitenit të deridjeshëm të Arsenalit, Van Persie. Ky i fundit regjistroi het-trikun e parë vetëm në javën e tretë të Premier Ligës angleze, me fanellën e djajve të kuq. Southamptoni kishte kaluar i pari në epërsi nëpërmjet Lambert (16’), por sulmuesi i ri i Alex Fergusonit, në minutën e 23 barazoi shifrat (1:1), me të cilin rezultat shkuan skuadrat në pushim. Edhe në gjysmëlojën e dytë të parët realizuan, vendasit, këtë radhë Schneiderlin riktheu epërsinë, 2:1 (56’). Më pas çdo gjë rrodhi sipas dëshirës së nënkampionit anglez, Van Perise pasi dështoi nga pika e bardhë (69’), dëshpërimin e riktheu në buzëqeshje me dy gola ekspres në finish të këtij ballafaqimi. Ai riktheu barazimin tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ndërkaq në çastet e fundit përmbysi çdo gjë në Southampton, duke shënuar golin e fitores për United. Tani këta të fundit kanë tubuar gjashtë pikë, dhe mbajnë pozitën e pestë, derisa në javën e ardhshme takohen me Wigianin. Ndërkaq Southamptoni i shkon Arsenalit.

SHPËRNDAJE