Nëpërmjet një urimi i Myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava ka uruar me rastin e datëlindjes së Pejgamberit a.s.

“Të nderuar besimtarë e qytetarë të Kosovës! Me rastin e 12 Rebiul eveli-it, datëlindjes së Pejgamberit tonë, Muhamedit alejhi selam, kam nderin, kënaqësinë e respektin, që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame dhe në emrin tim personal t’ju e përgëzoj me urimet më të ngrohta. Lindja e Pejgamberit a.s., është një ngjarje e veçantë në historinë islame, ngase misioni i tij prej pejgamberit e bëri njeriun që të njohë Krijuesin Fuqiplotë ndërsa Botën, që të ketë më shumë qetësi, drejtësi, paqe, lumturi, arsimim, edukim e përparim.

Të nderuar vëllezër e motra!

Tradita e festimit të datëlindjes së pejgamberit- Mevludi, te populli ynë është e kamotshme, dhe si e tillë me shekuj është festuar si në ambientet familjare ashtu edhe në ambiente e institucioneve fetare. Mënyra e festimi të kësaj ngjarjeje ka një të kaluar të begatë që në mënyrën më të mirë ka shprehur respektin e dashurinë për Pejgamberin -Muhamedin a.s.
Këtë traditë e cila tash është mishëruar thellë në kujtesën e popullit tonë duhet vazhduar e kultivuar me devotshmëri, respekt e dinjitet, ngase me këtë kujtojmë pejgamberin, mision dhe shëmbëlltyrën e tij. Duke Ju dëshiruar shëndet, paqe, mbarësi e lumturi, më lejoni që edhe një herë T’ju uroj e përgëzoj me rastin e Mevludit!”, thuhet në urimin e Myftiut të Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava.

SHPËRNDAJE