URA E GURIT – simboli më impozant i qytetit të Shkupit

Nga Arditë BEHLULI (fotoreportazh)

 

Ura e Gurit me të drejtë llogaritet si simboli më impozant i qytetit të Shkupit. E ndërtuar për t’i lidhur dy brigjet e lumit Vardar, Ura e Gurit me shekuj të tërë ka mundësuar lidhjen e vendit më të qarkulluar në Shkup.

Edhe sot Ura e Gurit u shërben këmbësorëve si lidhja më e mirë në mes të pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, duke qenë se mbi këtë urë është i ndaluar qarkullimi i automjeteve. Ura e Gurit paraqet objekt me teknikë të jashtëzakonshme ndërtimi,dhe për shkak të saj është ruajtur mirë. Kjo urë i posedon karakteristikat e ndërtimit osman me të gjitha elementet e një ure osmano-turke. Megjithatë, edhe krahas këtyre karakteristikave, shpeshherë hasim faktografi sipas të cilave kjo urë është e romakëve apo pushtuesve tjerë të cilët kanë kaluar nëpër Shkup. Megjithatë, pjesa dërrmuese e të dhënave të disponueshme mbi historinë e urës si dhe vetë stili i ndërtimit të saj dëshmojnë se Ura e Gurit është në fakt ndërtim i periudhës osmane.

Ndërtimi i urës duhet kërkuar në periudhën e pushtimit të Shkupit nga ana e turqve, pra në periudhën nga viti 1392 gjer në vitin 1469, kur për herë të parë përmendet nëpër dokumentet e disponueshme. Nga kjo mund të konstatohet se Ura e Gurit rrjedh përafërsisht nga shek. XV. Ura e Gurit paraqet simbol të lidhjes dhe shkëmbimit kulturor, tradicional, gjuhësor e fetar, duke qenë se pjesa dominante e popullsisë shqiptare të Shkupit jeton në anën e majtë, ndërsa pjesa dominante e popullsisë maqedonase në anën e djathtë të kryeqytetit.

Jo rastësisht qytetarët urën e definojnë si urë të lidhjes, dhe jo të ndarjes së popujve që e përbëjnë imazhin multietnik e multikonfesional të Shkupit. Ura e Gurit është ndërtuar në lokacionin të cilin e ka aktualisht me qëllim që të lidhë dhe të mundësojë komunikimin ndërmjet dy pjesëve të Shkupit, të cilat vazhdimisht janë zgjeruar dhe urbanizuar. Kështu, nga ana e majtë e urës nis Çarshia e Vjetër e Shkupit me të gjitha objektet tregtare e kulturore që e përbëjnë atë, ndërsa në anën e djathtë asokohe kanë qenë të vendosura Burmali Xhamia, një xhami shumë e njohur, pastaj medreseja, mektebi, një karvansaraj, etj.
 
Në Çarshinë e Shkupit ka nisur kultivimi i elitave shoqërore dhe urbane në dekadat e para të shekullit XX dhe është përforcuar sidomos në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Të kesh pronë një dyqan në Çarshi ka qenë mirënjohje për status më të dalluar në shoqërinë qytetare. Kështu, Çarshia shndërrohet në qendër tregtare të Shkupit. Pronarët e dyqaneve të saj kanë jetuar në katet përmbi dyqanin, ndërsa tregtarët më të rregullt kanë jetuar në lagjet shkupjane Serava, fare afër nga Çarshia, si dhe në lagjen Çairi, emërtim turk që simbolizon fushat pjellore, që të dyja të njohura si lagjet më të vjetra të qytetit të Shkupit. Rrëfimet për “fytyrat e çarshisë” edhe sot ruhen si legjenda që flasin për jetën e gjatë e përjetimet këtij qyteti të lashtë brenda një qyteti modern. Kur vjen në Çarshi nga pjesa e Shkupit e ndërtuar pas tërmetit në vitin 1963, ke përshtypjen se aty ndërpritet lidhja me civilizimin- dinamika dhe stresi zëvendësohen me një gjendje relaksi e qetësie idilike. Aty përfundon agresiviteti i të jetuarit bashkëkohor dhe nis respekti ndaj traditës së kultivuar me forma tipike të tregtisë e zejtarisë siç janë prodhimi i papuçeve, prodhimi i çantave e arit. Në Çarshi të vjetër kultivohet tradita familjare- dyqanet përcillen nga gjenerata në gjeneratë dhe si të atilla shndërrohen në simbole dalluese për banorët e qytetit të Shkupit. Përpos shitoreve të vogla e të ngushta në të cilat kultivohen disa nga zejet më të vjetra që bien ndesh me trendet moderne të industrializimit, Çarshia e vjetër është gjithashtu qendër kulturore e artistike në të cilën ndodhen shumë monumente kulturo-historike. Në brendinë e vet kjo qendër e dikurshme tregtare ruan disa nga galeritë më të njohura artistike, disa nga hamamet dhe hanet më të vjetra të ndërtuara në kohën e Perandorisë osmane.

Çifte hamami shtrihet në mes të Çarshisë së vjetër të Shkupit, në afërsi të Bezistenit, Suli hanit dhe Xhamisë së Murat pashës.  Është i ndërtuar në mesin e shekullit XV nga ana e Isa-beut për nevojat e medresesë dhe teqesë së tij në Shkup dhe prandaj ndryshe njihet edhe si hamami i Isa-beut.  Supozohet se zgjidhja arkitektonike e tij i është përshtatur rrethit në të cilin është i vendosur hamami.  Ndryshe nga shumica e hamameve të dyfishta, në Çifte hamam pjesa e meshkujve dhe femrave bashkohen me pjesët e larjes. Në shënimet e udhërrëfyesit të njohur Evlija Çelebija, Çifte Hamami gjithashtu quhet edhe Hamami “i ri”.  Sot Çifte Hamami është adaptuar në galeri bashkëkohore në të cilën veprat e tyre i ekspozojnë artistë të njohur nga vendi dhe jashtë.  Pothuajse në çdo kohë, në muret e këtij hamami janë të ekspozuara punime artistike të vendit apo të artistëve nga jashtë.  Publiku i vendit dhe vizitorët nga jashtë me padurim presin çdo ekspozitë të re dhe secila prej tyre paraqet eveniment në vete për të cilin sikur gëzohet e tërë Çarshia.  Në fakt, Çifte hamami është njëri ndër ambientet të cilat në mënyrë aktive dhe më së shumti kontribuojnë në ngjalljen e

Çarshisë që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes. Çarshia mund të plotësojë edhe këtë kërkesë tuajën.  Nëse jeni të varur nga ari dhe dekorimet prej ari, atëherë patjetër vizitoni rrugën e artarëve ku mund të kënaqni sytë apo edhe të qerasni veten me stoli prej ari apo argjendi në njërën nga artaritë e shumta, ku vitrinat me zbukurime ari pa dyshim do t’ua tërheqin vëmendjen për orë të tëra.  Vathët, unazat, bylyzykët e qaforet e Çarshisë së Shkupit janë sidomos të kërkuara gjatë verës, sezoni më i njohur për dasma e ahengje tjera familjare kur dhurohen stoli ari. Nëpër rrugët kryesore si dhe nëpër rrugicat e Çarshisë gjenden edhe shitoret e famshme të leblebixhinjve, ku mund të furnizoheni me lloje të ndryshme farash, qoftë për të shuar urinë përkohësisht gjersa eksploroni rrugët e Çarshisë, apo për gostitë tuaja me miq a familjarë në shtëpi. Mos e leni pa i vizituar ëmbëltoret lokale të cilat ofrojnë ëmbëlsira tipike për Ballkanin.

Përmendorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, është monumenti më impozant i kulturës i vendosur në kohën më të re në Çarshinë e Shkupit. Është e pamundur të mos e vëreni shtatoren e këtij prijësi të madh luftarak shqiptar që qëndron lartë arteries kryesore që lidh lindjen, perëndimin, veriun dhe jugun e Shkupit, dhe me dorën e djathtë të ngritur lartë, me urtësi sjell paqe dhe sikur përshëndet kalimtarët dhe vizitorët e kryeqytetit të Maqedonisë. I punuar nga skulptori shqiptar Thoma Thomai Dhamo, Skënderbeu arriti në Shkup gjatë një manifestimi madhështor më 28 nëntor 2006, gjatë festës kombëtare të flamurit shqiptar, nën patronat të Komunës Çair. Shtatorja është e punuar nga bronzi dhe me lartësinë e saj mbi 4 metra, paraqet monumentin më të lartë historik në Maqedoni. Në mënyrë s
imbolike, Skënderbeu simbolizon lidhjen shpirtërore të shqiptarëve etnikë të cilët jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri e Luginë të Preshevës. Ajo çfarë flitet kohëve të fundit tek instancat e subjekteve shqiptare janë dhe polemikat lidhur me ndërtimin e një kishe ortodokse në shtëpinë e humanistes shqiptare, Nëna Terezë. Përfundimisht del në dritë i tërë projekti për ndryshimin dhe uzurpimin e pamjes së sheshit qendror të Shkupit me kishën ortodokse “Shën Konstantini dhe Elena”, përmendoret e personaliteteve historike sllavo-maqedonase dhe figura të periudhës së Maqedonisë antike dhe shumë elemente të tjera skulpturore që do të rrënojnë imazhin e multietnicitetit që reflektohej nga “Ura e Gurit”. Projekti ndryshon pamjen e tërësishme të sheshit qendror të Shkupit, ku përskaj do të vendosen edhe një pjesë e institucioneve. Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen edhe institucione shtetërore, hotele dhe objekte kulturore. Në lumin Vardar janë paraparë të ndërtohen dy ura të reja, njëra prej të cilave do të jetë e shoqëruar me 28 skulptura.

Projekti “Shkupi 2014” parasheh edhe ndërhyrjet që do të bëhen në Kalanë e Shkupit. Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska ka theksuar se të gjitha ndërtimet që do të bëhen dhe vendosen në sheshin e Shkupit i plotësojnë karakteristikat e ndërtimeve moderne. Të gjitha partitë politike shqiptare kanë reaguar kundër projektit të komunës Qendër duke theksuar se nuk reflektohet realiteti shumetnik i kryeqytetit të Shkupit. Me ndarjen e re territoriale qytetin e Shkupit e përbëjnë 10 komuna, në mesin e të cilave është edhe komuna e Çairit. Komuna e Çairit shtrihet në fushën e Shkupit. Lartësia mbidetare e fushës së Shkupit është 245 m. Në aspektin gjeografik komuna e Çairit është e vendosur në pjesën qendrore, urbane të qytetit të Shkupit. Duke u orientuar me rrjedhën e lumit Vardar komuna e Çairit shtrihet në pjesën e majtë të lumit, e vendosur në zemrën, qendrën e fushës së Shkupit. Çairi, me pozitën e tij të përshtatshme në fushën e Shkupit, nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme për zgjerim territorial. Si qendër kryesore dhe e vetme, në aspektin e administrimit dhe menaxhimit, si qendër politike, ekonomike dhe kulturore në Shkup, është në një zhvillim dinamik dhe të vazhdueshëm, si në aspektin ekonomik ashtu edhe demografik.

Fusha e Shkupit, ku edhe shtrihet komuna e Çairit, në të katër anët është e rrethuar me male të larta, ka klimë mesdhetare-kontinentale për shkak të ndikimit të detit Egje nëpërmjet grykës së Vardarit, nga njëra anë, dhe depërtimit të klimës kontinentale, nëpërmjet fushës së Moravës nga Veriu, nga ana tjetër. Temperatura mesatare vjetore është 14.5 ¢ªC. Gjatë vitit ka shumë ditë me diell që e bëjnë vendin të përshtatshëm për jetesë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni