Një gjykatë në Ukrainë ka nisur një seancë dëgjimore në një proces të ri kundër ish-kryeministres Julia Timoshenko, e cila tashmë po vuan dënimin prej 7 vjetësh. Timoshenko, që mohon se ka kryer keqpërdorime, ka refuzuar të marrë pjesë në seancë, duke aluduar në gjendjen e rëndë shëndetësore.

Timoshenko akuzohet për evazion fiskal dhe për vjedhje në tentativë kur ishte në krye të një kompanie të madhe tregtare të gazit në vitet ’90. Gjykimi i ri po realizohet në qytetin lindor të Kharkivit, pranë të cilit ndodhet edhe burgu në të cilin Tymoshenko mbahet e mbyllur. Në një deklaratë të publikuar në internet në faqen e burgut, Tymoshenko informonte: “Duke përdorur të drejtën që më jep Kodi Penal ukrainas, i kërkoj gjykatës që seancat paraprake të mbahen në mungesë time, për shkak të problemeve shëndetësore nga të cilat vuaj”.

Mijëra mbështetës si dhe kundërshtarë të Timoshenkos janë mbledhur jashtë gjykatës në qytetin e Karkivit. Timoshenko është dënuar në muajin tetor për abuzim të detyrës zyrtare. Ajo ka thënë se është viktimë e represionit të motivuar politik të qeverisë së presidentit ukrainas Viktor Janukoviç. Rasti ka zbehur raportet e Ukrainës me BE-në dhe SHBA-në. 19 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE