ujkani-n-euml-maj-do-ta-arrijm-euml-fitoren-historike_hd (1)

Samir Ujkani e mbylli ndeshjen historike të Kosovës me Haitin, pa pësuar gol. Portieri i Palermos dhe Përfaqësueses tonë, është shprehur i lumtur që Federata e Futbollit e Kosovës ka aranzhuar miqësore me kundërshtarë edhe më të fortë. ‘Djelmoshat’ e përzgjedhësit Albert Bunjaku më 21 maj sfidojnë Turqinë në Kosovë, kurse katër ditë më vonë takohen me Senegalin në Gjenevë.

“Kundërshtarët i njoh. Janë dy Kombëtare shumë të forta. Personalisht nuk e njoh asnjë lojtarë, por me emra normalisht që i njoh. Do të jenë ndeshje shumë të mira”, deklaroi Ujkani për Arenën.

Ish-portieri i Kombëtares shqiptare, beson se fitorja historike e Kosovës do të ndodh në njërën nga dy miqësoret e ardhshme. Ai këtë e bazon në cilësitë e shfaqura në lojën me Haitin. “Ne besojmë se do të shënojmë fitoren e parë historike. Por, e rëndësishme për ne është me qenë një grup i mirë i lojtarëve, dhe me bërë lojë sa më të bukur”, shtoi ai.

Anëtari i Palermos, skuadër kjo me të cilën po kërkon rikthimin në Serie A të Italisë, thotë se Kosova do të bëhet edhe më e fortë. “Loja e parë na ka shkuar shumë mirë, nuk e kemi menduar as vet se do të jetë aq e mirë në aspektin e lojës, por tash normalisht se grupi mund të rritet edhe më shumë, për çka do të bëhemi edhe më të mirë”.

Ujkani ishte lojtari i vetëm nga Italia që iu bashkua Kosovës në takimin e 5 marsit, të zhvilluar në Mitrovicë, para mbi 17 mijë shikuesve.

SHPËRNDAJE