Portieri i kombëtares, Samir Ujkani ka pasur një paraqitje të shkëlqyeshme në miqësoren kundër Gjeorgjisë, që u zhvillua në pasditen e së mërkurës në Tbilisi.
Por, as dy pritjet e tij të penalltive nuk mjaftuan që Shqipëria t’i shmanget humbjes në këtë miqësore (1:2). “Jam shumë i kënaqur me lojën tonë. Sidomos në pjesën e parë ishim mjaft të mirë. Në 20 minutat e para të pjesës së dytë vuajtëm nga presioni i Gjeorgjisë dhe shumë shpejt pësuam golin e parë. Ndërkohë goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt, sepse në momentin kur e goditi topin lojtari vendës, e preku fillimisht me dorë. Për këtë arsye edhe protestova tek gjyqtari, por ai vendosi të vazhdonte lojën. Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh se luajtëm në një fushë të vështirë, andaj konsideroj se paraqitja jonë në përgjithësi mund të vlerësohet pozitive”, ka theksuar Ujkani. Ai mendon se nën drejtimin e strategut italian kombëtarja kuqezi do të përmirësohet. “Me De Biasin si trajner ne do të përfitojmë shumë në aspektin taktik. Falë punës së tij do të përmirësohemi edhe më shumë, duke u rritur nga ndeshja në ndeshje”, ka shtuar Ujkani. “Gardiani” i kombëtares kuqezi nga Vushtrria është shprehur i lumtur për formën në të cilën po kalon, edhe pse kohët e fundit kishte marrë kritika të shumta për paraqitje jo të mirë në kombëtare. “Jam i kënaqur që prita dy penallti, edhe pse nuk e evitova dot humbjen. Po punoj shumë te Novara, ndërsa po mundohem të përparoj edhe me kombëtaren. Në të kaluarën kam bërë ndonjë gabim, por kam nevojë edhe për pak përvojë”, ka nënvizuar Ujkani. Ndërkaq, në pyetjen lidhur me afrimin e mundshëm në kombëtaren kuqezi të portierit tjetër kosovar, Etrit Berisha, vushtrriasi ka thënë se e pret krahëhapur. “Nuk e njoh personalisht Etritin, por e di se është një portier shumë i mirë. Ai është i mirëpritur nga unë, sepse të gjithë kemi një qëllim, të ecim sa më përpara me kombëtaren. Edhe konkurrenca në portë e siguron këtë gjë në kombëtare. Këtu nuk kanë përparësi interesat personalë të miat apo të ndokujt tjetër, por përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë”, ka përfunduar Ujkani.

SHPËRNDAJE