Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, ka organizuar tryezë diskutimi me temën: “Sfidat e tanishme të gazetarisë në Kosovë”, në të cilën u tha se neni 37 dhe 38 i Kodit të ri penal dëshmojnë se ka mangësi në perceptimin e demokracisë.

Profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, ka thënë se mediumet elektronike e të shtypura në Kosovë nuk kanë arritur standardet e dëshiruara të pavarësisë financiare.

Krasniqi ka thënë se nenet e Kodit Penal të miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës, duhet të ndryshohen duke bartur përgjegjësinë tek vendimmarrësit brenda medies e jo që gazetarët të kenë përgjegjësi për produktin final të medies.

“Unë jam kundër adresimit të përgjegjësisë te gazetarët, po adresimi do të duhet të jetë te pronarët e medies eventualisht te redaktorët përgjegjës, sepse ata i bëjnë politikat editoriale dhe e finalizojnë produktin media”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, redaktori përgjegjës i informacionit në Radio Televizionin e Kosovës, Donat Syla, ka thënë se në mungesë të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, mediet në Kosovë janë në një gjendje të mjerueshme financiare.

“Duke parë si qenësor rolin e medies në Kosovë, konsideroj se shteti përmes mekanizmave të tij, duhet që të krijoj mundësi për zhvillimin e medies së lirë dhe të pavarur. Pra, përpos mediumit publik, trajtimi për të cilin nga ana e politikës lë për të dëshiruar, shteti duhet të krijoj burime financiare për të përkrahur edhe mediet private, duhet gjetur metoda në këtë drejtim që do të ndihmonin medien e lirë, por që nuk do ta cenonin pavarësinë editorale të tyre”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, redaktori përgjegjës i informacionit në Radio Televizionin 21, Eugen Saraqini ka kërkuar që nenet 37 dhe 38 të hiqen nga Kodi Penal për të ndihmuar lirinë e medieve.

Edhe kryeredaktorja e gazetës “Kosova Sot”, Margarita Kadriu, po ashtu ka theksuar se nenet 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal e ngufasin lirinë e medies.

Në vazhdim të debatit qëndrimin e Unioni të Gazetarëve të Kosovës (UGK), në lidhje me situatën e medies dhe gazetarëve në Kosovë e ka paraqitur, Alban Zeneli, duke thënë se Kodi Penal duhet të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për modifikim. Sipas tij, UGK përveç kërcënimeve dhe shantazhe nga grupe të ndryshme të politikës e biznesit që u bëhen gazetarëve, problem kryesor është statusi social i punëtorëve të medieve”, ka deklaruar Zeneli.

Në anën tjetër, studiuesja e medieve, Sahadete Limani- Beqaj, ka theksuar se prodhimi medial që i ofrohet publikut mund të varfërohet edhe më shumë me hyrjen në fuqi të neneve 37 dhe 38 të Kodit të ri Penal.

“Përmbajtja mediale që na servohet neve si publikë, mundëson që edhe sa i përket diversitetit, pluralitetit, reflekton shumë pak në pluralitet, shumë pak në diversitet. Mirëpo edhe sa i përket cilësisë jemi dëshmitarë që shpesh herë na servohet përmbajtje mediale që më të vërtetë mendohemi se nga kush dhe pse”, ka thënë Limani-Beqaj. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE