Talenti 19-vjeçar nuk do të jetë pjesë e Bazelit në ndeshjen e 27 shtatorit kundër Mançester Junajtid në “Old Trafford”, ndeshje e vlefshme për Champions League. Edicionin e kaluar, Shaqiri ishte pezulluar me tri ndeshje. Dënimin e përfundon pas sfidës me “Red Devils”-at. Por klubi kampion i Zvicrës kishte kërkuar ulje dënimi nga tri në dy ndeshje, që Shaqiri të fitonte të drejtën për t’u aktivizuar ndaj kampionit anglez. Pezullimi i Shaqirit erdhi pas kartonit të kuq, që e mori në ndeshjen e 1/16 së finales të Europa League kundër Spartakut të Moskës. Edicionin e kaluar i mungoi Bazelit në ndeshjen e kthimit kundër Spartakut, ndërsa nuk luajti as të mërkurën, në ndeshjen e parë të fazës në grupe të Champions ndaj rumunëve të Otelul. “Drejtuesit e klubit më treguan se kërkesa për uljen e dënimit u refuzua nga UEFA. Nuk do të mund të luaj ndaj Mançester Junajtid. Më vjen keq që nuk do ta ndihmoj skuadrën në këtë ndeshje. Kam pasur dëshirë të madhe të luaj kundër anglezëve, por më duhet të pres ndeshjen e dytë”, është shprehur Shaqiri.

SHPËRNDAJE