Shiritin e përurimit e prenë Presidentja Atifete Jahjga, kryeministrat Sali Berisha e Hashim Thaçi dhe kongresmeni amerikan Eliot Engel.

http://www.botasot.info/img/auto-ir.jpg(I plotësuar) – Më pak se tetëmbëdhjetë muaj pas fillimit t punimeve, në zonën kufitare të gërmicës sot u përuruan solemnisht 38 kilometrat e para të autostradës “Dr.Ibarhim Rugova”. Në kilometrin e parë të autostradës u mblodhën personalitete të larta të Kosovës e të Shqipërisë, diplomatë të akredituar në Prishtinë, kongresmenë amerikanë dhe qindra e mijëra shqiptarë nga Kosova e Shqipëria. Përgjatë kilometrave të parë të autostradës ishin vendosur flamuj të Kosovës, të Shqipërisë, Amerikës, BE-së e të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Fjalën e rastit e para e mbajti presidentja Atifete Jahjaga, ndërsa më pas folën edhe kognresmeni Eliot Engel, ambasadori amerikan Kristofer Dell si dhe kryeministrat Sali Berisha e Hashim Thaçi.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve për të qenë bashkë si të gjithë popujt që kanë vlerat evropiane dhe që ndërtojnë urat e bashkëpunimit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe për Shqipërinë dhe gjithë rajonin, dhe paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, një investim strategjik për zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit, i cili do të ofrojë mundësitë më të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për rëndësinë e autostradës e cila bashkon edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë, duke realizuar në këtë mënyrë një ëndërr historike të brezave me radhë.

Kongresisti amerikan Eliot Engel, pasi që ka uruar popullin e Kosovës për autostradën e re, ka thënë se kjo është një ditë e shumë e rëndësishme, pasi që Kosova tash është më pranë Evropës.

Ambasadori amerikan Kristofer Dell ka thënë se përurimi i këtij segmenti rrugor është edhe një hap tjetër drejt ëndrrës së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, emrin e të cilit mban kjo autostradë.

Herë pas here ekipi i gazetës “Bota sot” do të ju informojë më gjerësisht për këtë ceremoni të rëndësishme për shtetin e Kosovës

* * * * * *
Autostrada Vërmicë-Merdar është cilësuar projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në BE. Punimet në këtë autostradë është duke i kryer kompania “Bechtel-Enka”.
Autostrada, punimet në të cilën kanë nisur më 25 prill të vitit të kaluar, do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës.
Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.
Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.
Autostrada është vazhdimësi e autostradës Durrës- Morinë, apo “Rruga e Kombit”, që lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, ndërsa Kosovës i krijon mundësi të daljes në det duke e lidhur pikën më të skajshme kufitare të Kosovës, Merdaren me portin e Durrësit./bs

SHPËRNDAJE