Gjykata në Romë dha vendimet e parë në lidhje me skandalin e basteve të shpërthyer pak muaj më parë ku përfshihej edhe kapiteni i skuadrës së Atalantës dhe ish-futbollisti i kombëtares italiane, Cristian Doni.

Gjykata gjeti fajtor Doni-n dhe e dënoi atë me 2 vjet larg futbollit profesionist, 1 vit e 8 muaj pezullim u dha për lojtarin Gervasoni, 16 muaj për Pederzolin, ish-lojtarë të skuadrave që luajnë në Serinë B të kampionatit italian.

Ndërkohë, Atalanta u penalizua me 2 pikë, cka do të thotë që bergamaskët do ta nisin sezonin e ardhshëm me -2 pikë, Groseto u penalizua me -6 pikë dhe -2 pikë Modenës.

Ndërkohë, mbetet në fuqi arresti me burg për ish-kapitenin e Lacios, Stefano Mauri dhe Omar Milanetto-n.

Ja si Sculli shantazhonte Toni-n

Hetimet për trukimin e ndeshjeve të kampionatit italian deri në vitin 2011 sa vijnë e zbardhin akoma më shumë skemën mashtruese.

Në një raport të hetuesve e të publikuar nga mediat italiane, flitet se si sulmuesi i Xhenoas, Giuseppe Sculli dhe i konsideruari si “truri” i gjithë skemës, boshnjaku Safet Altiç tentojnë të detyrojnë Luca Toni-n, në atë kohë lojtar i Xhenoas për të bashkëpunuar me ta në fiksimin e ndeshjeve.

Nga përgjimet telefonike të Sculli-t del në dritë biseda mes tij dhe Altiç e datës 3 maj 2011, kur sulmuesi i Xhenoas i flet boshnjakut për se “kishte në dorë letrat e duhura” për ta bindur Toni-n, që ata e thërrasin “Pepperone”.

Sculli e Altiç flasin për disa foto intime të lojtarit shtatlartë me disa vajza. Nëse Toni nuk bashkëpunonte, Sculli kërcënon se do t’ia dorëzojë ato bashkëshortes së tij, Marta Cecchetto.

Nga hetimet e deritanishme del qartë roli kryesor i Altiç në fiksimin e ndeshjeve. Boshnjaku kishte kontakte të vazhdueshme telefonike me Sculli por edhe me lojtarë të tjerë të Xhenoas, si Milanetto-n, Criscito-n dhe Kakha Kaladze.

SHPËRNDAJE