I PËRDITËSUAR – 07:30 – Të gjitha institucionet e vendit do të ulin sot flamurin në gjysmë shtizë, në ditën e zisë kombëtare, për të nderuar kujtimin e 13 viktimave të aksidentit tragjik të Himarës.

Të gjithë ata që dje mbajtën frymën para ekraneve dhe përjetuan me ankth orët pas aksidentit, do të mbajnë një minutë heshtje në mesditë, në përkujtim të 13 jetëve të humbura, shumica e të cilave, vajza të moshës 21-22 vjeç.

Një lutje në mesditë për familjet  që kanë humbur fëmijët e tyre në moshën më të bukur, e për ato që në ankth shpresojnë fitoren mbi vdekjen.

Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë sot muzikë funebre. Në respektim të ditës së zisë kombëtare, televizioni publik nuk transmeton sot festivalin e Eurovizionit, ku si për ironi, Shqipëria konkurron me një këngë vaji.

Ndërkohë, trupat e pajetë të 13 viktimave janë nisur mëngjesin e sotëm nga Vlora për në kryeqytet.

 

 

13 Viktimat janë:
1. Denisa Guzi nga Gramshi
2. Ermira Mana nga Elbasani
3. Aurora Molla nga Pogradeci
4. Lindita Kabashi nga Elbasani
5. Joana Debinja nga Lushnja
6. Elsa Daka nga Elbasani
7. Juliana Tola nga Elbasani
8. Armand Halilaga nga Kavaja
9. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
10. Fabiola Shehi nga Bërxulla Tiranë
11. Eriola Xhoi nga Elbasani (vazhdojnë procedurat e verifikimit me familjarët)
12. Eranda Baloshi nga Elbasani
13. Dorina Stafa nga Kruja

 

11:35 – Ndërsa ekspertët nuk kanë përcaktuar ende shkaqet e aksidentit tragjik të ndodhur ditën e djeshme në kthesën e Vishës, dëshmitë e të mbijetuarave të bëjnë të mendosh për një defekt të automjetit apo pamundësi të drejtuesit për të manovruar në kthesë, ndoshta për shkak të shpejtësisë së madhe. Të mbijetuarat që gjenden në spitalin e Vlorës janë shprehur se në momentin që shoferi duhej të merrte kthesën, ai ka thënë duke bërtitur “Nuk e kontrolloj dot”. Vajzat kujtojnë momentin e panikut që u shoqërua me britma, e më pas autobusi përfundoi në humnerë.

11:20 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka shprehur hidhërimin e thellë për tragjedinë e Himarës. Arvizu ngushëllon të gjitha familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentin tragjik të ndodhur të hënën pranë Himarës. Ambasadori amerikan lutet për shërim të shpejtë të të gjithë atyre studenteve që i mbijetuan aksidentit.

11:00 – Në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit kanë nisur homazhet për viktimat e tragjedisë së Himarës. Studentë, pedagogë dhe banorë të qytetit kanë nisur homazhet para fotografive të viktimave, ndërsa ceremonia zyrtare pritet të nisë në orën 15:30, pas mbërritjes së trupave të pajetë të studenteve dhe shoferit të autobusit.

Në ceremoninë zyrtare pritet të marrin pjesë edhe presidenti Topi dhe kryeministri Berisha, i cili po kthehet nga samiti i NATO-s. Ndërkohë, në Elbasan gjenden deputetë të PS-së dhe PD-së, të cilët po zhvillojnë vizita në familjet e viktimave.

Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

10:55 – Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka deklaruar se dy prej tyre studenteve të plagosura janë në gjendje kritike për jetën. Ministri Vasili i ndodhur në Spitalin Ushtarak tha se, po mbahen nën mjekim 14 studente, dhe parametrat e tyre janë mbajtur në mënyrë të qëndrueshme nga stafi që po kujdeset.

“Ka ecuri pozitive, por vazhdon të mbetet serioze gjendja e 2 vajzave, traumat e të cilave kanë qenë të gjera, edhe në këtë rast parametrat e tyre janë mbajtur në mënyrë të qëndrueshme nga stafi që ka bërë një punë profesionale”,- tha Vasili.

I pyetur nëse është vlerësuar transportimi i studenteve të plagosura në spitale më të specializuara jashtë vendit, Vasili ka deklaruar se në kushtet aktuale, kjo është e pamundur. “Transporti i tyre është i pamundur se mbahen në jetë me aparatura, ato do të vlerësohen hap pas hapi nga stafi mjekësor. Nuk do të bëhet asnjë hap i nxituar që do të rëndonte situatën”, shtoi Vasili.

07:30  – Këshilli i Ministrave ka shpallur të martën ditë zie kombëtare, në nderim të studenteve që humbën jetën në aksidentin e Himarës.

23:30 -Kryeministri, Sali Berisha, i cili ndodhet në Çikago për të marrë pjesë në samitin e NATO-s ka bërë të ditur se do të niset papërfunduar samit. “Po shkoj drejt aeroporti për t’u kthyer në Shqipëri, pavarësisht se vazhdon një takim, unë jam nisur sepse duhet të kthehem në kohën më të parë të mundshme”, është shprehur Berisha.

22:50 – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vizituar nga afër studentet e plagosura në tragjedinë e Himarës. “Ngushëllimet shkojnë për familjet e viktimave. Dhe e dyta, iu uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë të plagosur, sepse ka edhe të plagosur rëndë! Ajo që është parë, të cilën e konstantoni edhe ju është që i gjithë shteti është në këmbë”, u shpreh Topi.

Topi në Spitalin Ushtarak

22:40 –Një tjetër e plagosur ka humbur jetën duke e çuar numrin e viktimave në 13. Eranda Balloshi është vajza e cila ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

21:55 – Dita e nesërme do të jetë ditë zie kombëtare për shkak të aksidentit tragjik të ndodhur në Qafën e Vishës. Rreth orës 16:30, autobusi me studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga duke rënë në një humnerë mbi 80 metra. Në autobus ndodheshin 33 persona nga të cilët 12 persona humbën jetën.

Të plagosurat që ndodhen në Spitalin Ushtark janë: Kaltra Pollozani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Taçe, Anisa Çobo, Doriana Kumbria, Shegunesh Haka, Briselda Gubere, Elsa Shtylla, Marsie Biba, Ilfsjana Karriqi. Ndërsa Besjana Dani është duke u transportuar nga Vlora për në Tiranë.

Ndërsa në spitalin rajonal të Vlorës ndodhen: Ina Janull, Entela Daja, Dorina Stafa, Andjola Musaku, Ergita Opingllari, Juliana Kuqi, Grizelda Zenei, Ticiana Hysa, Liri Hasan dhe Blerina Cereni.

 

20:10 – 10 të plagosura ndodhen në spitalin e Vlorës. Vetëm njëra prej tyre mund të transportohet drejtë Spitalit Ushtarak në Tiranë nëse do të jetë e nevojshme.

20:08 – Ministri i Transporti, Sokol Olldashi, ka dalë në një deklaratë për shtyp, ku tha se gjendja e rrugës nuk ka qenë shkak i aksidentit. “Është një zonë rruge në gjendje të mirë pasi sapo është rikonstruktuar, shkaqet mbeten për t’u verifikuar nga ekspertët por nga informacionet e para mësohet se nuk ka qenë gjendja e rrugës”, tha Olldashi.

19:50 – Drejtues të Spitalit Ushtarak bëjnë të ditur se në dispozicion të të studenteve të plagosura janë 60 mjekë dhe 150 infermiere. Ndërsa 40 ushtarë po dhurojnë gjak.

Një e plagosur duke u transportuar për në Spitalin Ushtarak 

19:35 – Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, shprehet se 14 të plagosur janë dërguar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërsa të plagosurit e tjerë që ndodhen në spitalet rajonale të Sarandës apo Vlorës do të transportohen për në Tiranë nëse do të jetë e nevojshme.

19:30 – Dy meshkuj dhe 10 vajza janë viktimat. Sa i takon dy viktimave të seksit mashkull bëhet fjalë për drejtuesin e autobusit dhe një djali, i cili ndodhej në autobus për të shoqëruar të fejuarën. Ndërsa sa u takon viktimave femra, nëntë janë nxjerr të pa jetë nga autobusi ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejtë Spitalit Ushtarak.

(foto Hektor Pustina)

19:23 – Dita e nesërme është shpallur nga Këshilli i Ministrave si ditë zie kombëtare. Ndërkohë në Spitalin Ushtarak sapo ka mbërritur një helikopter me dy studente të plagosura që ndodhen në gjendje të rëndë.

Të plagosura në spitalin e Sarandës (foto Stavri Marko)

19:15 – Pas dhurimi të gjakut, lideri i opozitës ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat ku bëri thirrje që të bëhet çfarë është e mundur për shpëtimin e të plagosurve. “I gjthë personeli po bën të pamundurën sepse është një moment jashtëzakonisht dramatik dhe duhet bërë çmos për të shpëtuar jetën e të gjithë plagosur dhe duhet të bërë çmos për të mbështetu me frymë të fortë solidariteti ata që janë në operacion qoftë këtu dhe qoftë në terren”, u shpreh Rama.

19:00 – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shprehet se në spitalin e Himarës, të plagosurve u është dhënë ndihma e parë. Ministri ka konfirmuar se “deri tani janë 12 persona që kanë humbur jetën” ndërsa 10 persona të tjerë janë në gjendje të rëndë. Brenda në autobus kanë qenë 33 persona.

18: 47 – Mësohet se një prej të plagosurve ka ndërruar jetë gjatë udhëtimit me helikopter. Ndërkohë, kreu i PS-së, Edi Rama dhe deputetë të PS-së kanë shkuar në Spitalin Ushtarak për të dhuruar gjak.

Të plagosurat (foto Stavri Marko)

18:46 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj shprehet se mendohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga ataku kardiak që ka prekur shoferi 52-vjeçarin, Pëllumb Çela. Burgaj bën të ditur se grupi hetimor po punon dhe të gjithë studentët janë nxjerr nga autobusi. Ai bën të ditur se janë dërguar në Tiranë për të ndihmë mjekësore të specializuar 7 të plagosur dhe pritet të dërgohen edhe tre të tjerë.

18:32 – Në spitalin Ushtarak në Tiranë kanë mbërritur të plagosurit e parë dhe po marrin ndihmën nga mjekët. Drejtuesit e spitalit kanë bërë thirrje që qytetarë t’u vijnë në ndihmë të plagosurve duke dhuruar gjak pasi rezervat nuk janë  të mjaftueshme.

18:22 – Për ngjarjen tragjike në Himarë ka reaguar Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Presidenti shprehur ngushëllim për familjen e studentëve që humbjen jetën dhe siguron se “të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë”.

Studentet e plagosura (foto Stavri Marko)

18:15 – Emrat e studenteve që ishin nisur për ekspeditë për në Sarandë: Adisa Çela, Aida Gjika, Alba Deda, Anisa Rusi, Anisa Hysa, Antoneta Saçe, Arta Ballabani,  Aurora Molla, Desian Dani, Desiana Xheneti, Blerina Çereni, Denisa Guzi, Desilda Bytyçi, Doriana Kumria, Dorina Stafa, Elidoda Gjinaj, Elsa Daka, Elsa Shtylla, Eralda Bajrami, Eranda Baloshi, Eranda Bardho, Erjola Xhoi, Klejda Kela, Mirsie Biba, Oneda Kushi, Denisa Paja, Erdita Ortingari, Eriselda Gubere, Eriselda Çoku, Erjana Gështenja, Ermira Mana, Fabjola Shehi, Florie Peçi, Gerta Hasmeta, Griselda Zeneli, Griselda Bilani, Isjana Karifi, Isma Klosi, Johana Debinja, Juliana Kuqi, Juliana Tola, Kaltra Kollozhani, Laureta Cani, Lindita Kabashi, Lirie Hasa, Oliverta Dhëmbi, Olsiana Beqiri, Tisiana Hysa, Anisa Çobaj, Enkelejda Berberi, Adjola Musaku, Hanife Xhepexhiu, Anila Suli, Shegushe Haka, Oltiana Yzo.

18:10 –Për ngjarjen tragjike në Himarë ka reaguar edhe kryetari i opozitës, Edi Rama. Në reagimin e kreut të PS-së bëhet thirrje për solodarit kombëtar dhe përgjigjeje të gjithaneshme për të shpëtuar jetën e njerëzve.

18:02 – 22 të plagosur ku 10 janë në gjendje të rëndë. Ndërsa është konfirmuar që numri i viktimave është 11. Mes viktimave është edhe drejtuesi i autobusit, Pëllumb Çela.

17:56 – Për shkak të dëmtimeve të rënda disa studentë ende nuk janë nxjerr nga autobusi. Kjo pasi autobusi ka rënë nga mbi 80 metra lartësi dhe ka marrë dëmtime të rënda. Bëhet fjalë për 50 studentë të vitit të III-të të degës Gjuhë-Letërsi, bën me dije pedagogja Elvira Luma.

17: 42 – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj janë nisur drejtë vendngjarjes. Ndërkohë sipas policisë deri tani nga autobusi janë nxjerr 25 të plagosur.

17:40 – Mësohet se nga Elbasani, sot janë nisur dy autobusë me 75 studentë dhe tre pedagogë. Bëhet fjalë për një ekspeditë 24-orëshe, ku studentët do të kalonin një natë në Sarandë dhe më pas do të ktheheshin për në Elbasan. Në dy autobusët ndodheshin 40 dhe 35 studentë dhe tre pedagogë. Nuk dihet me siguri se cila autobus ka rënë në humnerë.

Vendngjarja (foto Stavri Marko)

17:30 – Brenda pak minutave pritet që në Spitalin Ushtarak në Tiranë të mbërrijë me studentët e plagosur nga aksidenti në Urën e Vishës. Policia e Shtetit njofton se drejtë spitalit po transportohen 25 të plagosur. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Çikago ka reaguar me anë të një komunikatë për shtyp, ku thuhet se ai është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e operacionit dhe u ka shprehur ngushëllim familjarëve të viktimave.

(foto Stavri Marko)

17:20 – Dy helikopterë mjekësorë janë nisur për në Himarë, ku njeri prej të cilëve është rrugës për në kthim. Numri i të plagosurve në këtë aksident është i madh dhe drejtë Spitalit Ushtarak në Tiranë të dërgohen të plagosurit rëndë. Sipas policisë deri tani nga autobusi janë nxjerrë rreth 20 të plagosur.

17:00 – Situata në vendngjarje paraqite e rëndë. Njoftohet se me ndërhyrjen e policisë është mundësuar dërgimi i të plagosurve për në Spitalin Ushtarak ndërsa të plagosurit lehtë janë dërguar në spitalin e Himarës.

Nga të dhënat e policisë, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 12 dhe mësohet se në autobus ndodheshin 49 studentë, shumica vajza. Studentët janë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, të degës Gjuhë-Letërsi dhe po zhvillonin një ekspeditë me studentë dhe pedagogë. Autobusi i rrëzuar është me targa EL 22 74 B.

16: 50 – Një autobus me rreth 50 nxënës ka dalë nga rruga duke përfunduar në një humnerë 100 metra në vendin e quajtur “Qafa e Vishës” në afërsi të qytetit të Himarës.

Drejtë vendngjarjes janë nisur Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe helikopterë nga Tirana ndërsa kanë mbërritur ambulanca nga spitali i Vlorës dhe Sarandës.

Autobusi është me targa të Elbasanit dhe ka rënë në Qafën e Vishës pranë Urës së Vishës. Në autobus ndodhen maturantë që shkonin drejtë Sarandës. Numri i viktimave dyshohet se deri tani ka shkuar në pesë ndërsa për të plagosur ende nuk ka një shifër.

Vendi ku ka rënë autobusi është terren i pjerrët dhe është shumë e vështirë për të ndërhyrë forcat e rendit në mënyrë që t’u jepet ndihmë të plagosurve.

Segmenti i ngjarjes ndodhet në hyrje të Himarës dhe përbën një nga më të vështirët në të gjitha rrugët e bregdetit jugor, pasi përbëhet nga kthesa të shumta dhe të rrezikshme. (Shekulli)

SHPËRNDAJE