Fernando Torres është i vetëdijshëm për faktin se Barcelona ka një skuadër me cilësi të larta, por thekson se kjo nuk do të thotë asgjë në prag të ndeshjes së kthimit në “Camp Nou”.

Barcelona dhe Çelsi do të përballen, të martën në mbrëmje, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Londinezët hyjnë në këtë sfidë me epërsi minimale nga ndeshja e parë (1:0). “Është e qartë se Barcelona është një hap përpara klubeve tjera. Ata kanë qenë pjesëmarrës të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve në pesë edicionet e fundit dhe kjo nuk është pak. Mirëpo, ky është futboll dhe nuk fiton gjithmonë më i miri”, ka thënë Torres. “Shumë skuadra që luajnë kundër Barcelonës mendojnë se mund t’ua vjedhin topin, por mendoj se kjo është e pamundur. Kundër tyre duhet shfrytëzuar armë tjera. Nëse shkoni me qëllimin për t’ua rrëmbyer topin, do të kaloni shumë keq”, ka nënvizuar sulmuesi spanjolli. Sipas Torresit ‘shoferët’ e Barcelonës janë Çavi dhe Iniesta, e jo Lionel Mesi. “Çavi dhe Iniesta janë lojtarë që diktojnë ritmin e lojës. Kur luan kundër tyre, je i vetëdijshëm se ata do ta përcaktojnë rrjedhën e lojës”, ka përfunduar Torres.

 

SHPËRNDAJE