Sot në zonën veriore të vendit, në komunën Temal të Shkodrës ishte për vizitë edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili përsëriti thirrjet për një bashkëpunim mes institucioneve dhe strukturave të shtetit për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga moti i keq

Presidenti Topi zhvilloi një takim me përfaqësuesit vendor ku vlerësoi angazhimin e strukturave të policisë, ushtrisë e shëndetësisë dhe të gjitha atyre të përfshira në operacionet e ndihmës. Kreu i shtetit përsëriti thirrjen e tij drejtuar edhe biznesit për të ndihmuar banorët e zonave të goditura nga moti i keq.

Duke ju përgjigjur kërkesës së kryetarit të komunës Temal për ndihmë ndaj një familjeje të bllokuar në fshatin Vilë, presidenti komunikoi me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë për të mundësuar evakuimin sa më të shpejtë të saj.

Kreu i shteti vizitoi sot edhe hidrocentralin e Komanit. Përveç situatës së krijuar nga dëbora Shqipëria po vuan edhe pasojat e problemeve energjetike, duke u detyruar që prej disa muajsh të importojë sasira të mëdha për të garantuar furnizimin e vendit.

SHPËRNDAJE