TOPI: Serbia me skenare po përpiqet të krijojë frikë dhe terror në Luginen e Preshevës

Arrestimi i disa shqiptarëve nga autoritetet serbe në Luginën e Preshevës dhe vetëm 1 ditë përpara heshtjes elektorale të zgjedhjeve që do të zhvillohen ditën e nesërme, ka sjellë edhe reagimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili ndodhet ndërkohë për një vizitë zyrtare në Vatikan. Përmes një njoftimi për shtyp të faqes së Presidencës dënohet dhuna e ushtruar nga forcat serbe, të cilat synojnë destabilizimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Presidenti i Republikës dënon me vendosmëri këtë skenarë ogurzinj të forcave ultranacionaliste serbe për të krijuar terror dhe frikë ndaj popullsisë shqiptare. Këto veprime të paramenduara që shkelin standardet demokratike dhe personalitetin e palëkundur të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, synojnë të destabilizojnë paqen dhe sigurinë e popujve të rajonit tonë”, – thuhet në reagimin e Presidentit Topi.

Presidenti i Republikës thekson se, “tashmë në Europën demokratike asnjë skenar i forcave ultranacionaliste dhe shoviniste serbe dhe i kujtdo qoftë nuk mund të trembë shqiptarët, t’i terrorizojë ata dhe t’i largojë nga të drejtat e tyre legjitime për të jetuar të barabartë e në paqe në trojet e tyre amtare”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni