Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi pati sot një takim me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Stavros Lambrinidis në kuadër të një vizite pune që krerët e diplomacisë së dy shteteve fqinje po zhvillojnë në vendin tonë. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui, Ambasadori i Italisë, Saba D’Elia dhe Ambasadori i Greqisë, Nikolas Pazios si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Selim Belortaja.

Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në momente të rëndësishme e historike për zhvillimin dhe reformimin e vendit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit ligjor, si dhe për përmbushjen e detyrimeve dhe të standardeve të integrimit në familjen e madhe evropiane. “Edhe këto vizita të përfaqësueseve të lartë të vendeve të BE-së në Shqipëri janë dëshmi e kësaj mbështetjeje domethënëse për vendin tonë”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës, – ndërsa theksoi se “realizimi i reformave kyçe që garantojnë finalizimin me sukses të punës dhe aspiratës disavjeçare të shtetit dhe të popullit shqiptar për integrimin në BE, janë një prioritet i veprimtarisë dhe angazhimit të të gjitha institucioneve tona”.

Në vijim të bisedës, Kryetari i Shtetit Shqiptar ritheksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së komunikimit për çështje madhore mes klasës politike shqiptare, për të cilën shprehu besimin se “mbart përgjegjësinë dhe vetëdijen politike, po ashtu dhe maturinë për të kuptuar e realizuar që integrimi në Bashkimin Evropian kërkon bashkimin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe një përkushtim e angazhim tepër serioz për përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga synimi i qartë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.” Në këtë këndvështrim, Presidenti i Republikës vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ishte një tregues pozitiv e domethënës në këtë drejtim, ndërsa shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve tanë evropianë, Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis falënderuan Presidentin Topi për pritjen e rezervuar dhe vlerësuan rolin e tij kushtetues dhe të balancuar si simbol i unitetit të popullit shqiptar. Zoti Fratini dhe zoti Lambrinidis rikonfirmuan mbështetjen e pakursyer jo vetëm të dy vendeve që ata përfaqësojnë, por edhe të Bashkimit Evropian për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, por theksuan se procesi integrues evropian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhore të vendit mbi gjithçka duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë. “Mbi të gjitha, duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues”, theksuan dy ministrat e Jashtëm e vendeve fqinje.

SHPËRNDAJE