Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përshëndet 8 dhjetorin, “Ditën Kombëtare të Rinisë”.

“Sot Shqipëria feston 8 dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë. 21 vjet më parë studentët e Universitetit të Tiranës nisën protestat politike për të rrëzuar sistemin diktatorial. Ata vinin nga qytete dhe përvoja të ndryshme familjare, por të gjithë kishin të përbashkët vizionin dhe idealin e madh për një Shqipëri ndryshe, një vend të lirë, demokratik dhe evropian. Ata guxuan, mposhtën frikën dhe me një mbështetje të gjerë intelektuale e qytetare e detyruan regjimin të pranojë pluralizmin politik.

Për shumë motive Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 është dhe mbetet një nga ngjarjet më kulmore në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një lëvizje kaq elitare, përfaqësuese dhe idealiste, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjegjësie ndaj vendit dhe fateve të tij. Ai brez pati kurajon t’i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Evropë, pati mençurinë të shpaloste një program kërkesash politike thellësisht demokratike dhe evropiane, si dhe pati aftësinë të administrojë kontributet më të çmuara të mendimit liberal dhe intelektual të kohës. Nderimi ynë shkon sot tek të gjithë ata të rinj studentë që me 8 dhjetor ’90-të ndryshuan njëherë e mirë historinë e vetes, familjes dhe të mbarë Shqipërisë. Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90-të.

Gjatë këtyre viteve është bërë përparim i dukshëm, demokracia dhe shteti i së drejtës kanë shënuar arritje, Shqipëria është vend anëtar në NATO dhe me prespektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kam bindjen e thellë se ky bilanc do të kishte qenë edhe më pozitiv, se demokracia në Shqipëri do të kishte qenë edhe më e fortë dhe integrimi euroatlantik edhe më i shpejtë dhe i plotë, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ‘90-të.

Duke kujtuar sot 8 Dhjetorin gjej rastin t’i adresohem të gjithë të rinjve me apelin për të pasur një rol më aktiv shoqëror, për t’u dëgjuar zëri i tyre në çdo aspekt të vendimmarrjes politike dhe të sfidave të përbashkëta shoqërore. Brezi ynë i ri është pasuria më e madhe që ne kemi, ndaj edhe shteti e shoqëria do të duhet që problematikat dhe interesat e tyre të shumta t’i kenë përparësi si investimi më i sigurt për të sotmen dhe të ardhmen. Edhe njëherë gëzuar Ditën Kombëtare të Rinisë, urime dhe mbarësi për të gjithë të rinjtë, kudo që ata ndodhen!”.

SHPËRNDAJE