Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka nisur vizitën në Maqedoni, ku është pritur nga homologu Gjorgje Ivanov.

Sipas informacioneve të fundit, presidentët Ivanov dhe Topi kanë biseduar për rritjen e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Shqipëria mbështet fuqishëm stabilitetin e Maqedonisë. Është i domosdoshëm vazhdimi i frymës së harmonisë mes dy vendeve”, ka deklaruar Topi.

Një tjetër pikë e prekur nga kreu i shtetit shqiptar ka qenë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, të cilën zoti Topi e ka cilësuar si diçka shumë të rëndësishme.

Ndërsa presidenti Ivanov nga ana e tij është shprehur se, është në interes të rajonit që dy vendet të prodhojnë vetëm lajme pozitive.

Vizita e Topit në Maqedoni bëhet në një moment kur tensionet ndëretnike mes sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve janë më të larta se kurrë, pas vrasjes së pesë të rinjve maqedonas në një fshat në afërsi të Shkupit.

Maqedonasit kanë fajësuar shqiptarët për vrasjen dhe madje pak ditë më parë mbajtën një protestë masive kundër këtij komuniteti, me thirrje dhe parulla raciste.

Vetë autoritetet maqedonase u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos nxjerrin përfundime të ngutura dhe të presin përfundimin e hetimeve, të cilat janë në zhvillim e sipër.

Të njëjtin apel qytetarëve maqedonas ua ka bërë edhe Bashkimi Evropian, që përveçse ka dënuar ngjarjen e rëndë ka kërkuar që të mos atribuohen fajësi para kohe.

Ndërsa në Serbi, mediat lokale janë përpjekur t’ia atribuojnë përgjegjësinë për vrasjen komunitetit shqiptar, duke transmetuar një seri lajmesh të rreme.

Shkup, Presidenti Topi nis agjendën

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi prej mbrëmë po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Maqedoni.

Sipas agjendës së paraparë, presidenti Topi sot do të nis takimet zyrtare, ku paradite do të pritet nga homologu i tij nikoqir Gjorgji Ivanov, me ç`rast pas takimit do të ketë një konferencë të përbashkët.

Topi dhe Ivanov do të vizitojnë varrin e Goce Dellçev në Kishën e Shën Spasit, ku do të vendosin kurora lulesh.

Presidenti shqiptare pasdite do të takohet me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, më pas takimet me kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa një darkë pune solemne në mbrëmje është organizuar nga zëvendëskryeministrja për evrointegrime Teuta Arifi.

Të nesërmen agjenda e presidentit shqiptar vazhdon me një takim dhe kafe me presidentin Ivanov në qendër të Shkupit. Më pas presidenti Topi do të marrë pjesë në hapjen e Panairit me produkte vendore dhe investime të huaja në Shkup.

Agjenda e presidentit shqiptarë nesër pasdite do të zhvendoset në Tetovë, në takimet me liderët e partive shqiptare. Presidenti Topi fillimisht do të qëndrojë në selinë e PDSH-së në takimin me kreun e kësaj partie Menduh Thaçi, ndërsa më pas vijon takimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në kuadër të vizitës, presidenti Topi pasdite do të vendos lule në memorialin e Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Derralla në fshatin Gradec të Gostivarit.

SHPËRNDAJE