Me rastin e 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një telegram urimi Presidenti të SHBA-ve, Barak Obama.

“Tashmë Shqipëria është aleate besnike dhe partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur ngushtë nga interesa dhe vlera të përbashkëta, anëtare e denjë dhe e sprovuar e NATO-s, kontribuese e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Marrëdhëniet e gjithanshme të shkëlqyera dypalëshe janë në kulmin e tyre, duke u shërbyer interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve tanë”, shprehet Topi në telegramin e tij.

Kreu i shtetit sjell në vëmendje dhe historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Që nga viti 1946, historia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona fatkeqësisht provoi një ngrirje të gjithanshme, pavarësisht se vendi juaj përgjatë gjithë historisë moderne të Shqipërisë ka dhënë një kontribut të vyer dhe një mbështetje të jashtëzakonshme për interesat jetike të kombit shqiptar”, shprehet Topi.

Ai ndalet edhe në vendosjen e marrëdhënieve duke theksuar se erërat e ndryshimeve në Europë sollën dhe hapjen e Shqipërisë.

“Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar, teksa erërat e lirisë dhe të ndryshimeve demokratike nisën të frynin edhe në vendin tonë, u bë e mundur që të rivendosen zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona, duke konsoliduar përfundimisht miqësinë historike e tradicionale mes dy kombeve tona”, shprehet Topi .

Topi shprehet në telegramin e tij se shqiptarët janë vendosur për të ndjekur modelin e demokracisë amerikane.

“Më lejoni edhe njëherë, i nderuar zoti President, t’ju shpreh vlerësimin më të lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, si dhe t’ju siguroj se Shqipëria e populli shqiptar janë të vendosur në rrugën drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike, duke përmbushur të gjitha standardet e një demokracie perëndimore model, siç është ajo e vendit tuaj, mikut dhe aleatit tonë më të madh!”, thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

SHPËRNDAJE