Topi: Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës i paprekshëm

(I plotësuar) – Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin dhe aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka deklaruar sot në Prishtinë presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.

Këto komente Topi i bëri gjatë një fjalimi që mbajti para Kuvendit të Kosovës.



Paraprakisht ai është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Me këtë rast, Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria janë faktorë paqeje e stabiliteti në rajon.

Ndërkaq, ka falënderuar kreun e shtetit shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme për lobim dhe njohje të reja për Kosovën.

“Dy shtetet tona sovrane kanë një qëllim të përbashkët në rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Shqipëria angazhohen për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajonit dhe mbarë botën”, është shprehur Jahjaga.


Pas takimit me presidenten e Kosovës, presidenti Bamir Topi tha se ndihej shumë i nderuar që po e përmbyllte mandatin e tij si presidenti i Shqipërisë me vizitën në Kosovë.

Kreu i shtetit shqiptar tha se zhvillimi dhe përparimet e bëra në Kosovë i kanë hequr tashmë paragjykimet që ishin më herët për të.

Për nder të tij, Kuvendi organizoi edhe një seancë solemne të cilës Topi i është drejtuar me një fjalim rasti.

“Ju jeni shembulli më i mirë për t’i dëshmuar botës demokratike se si një vend i vogël por me forcë të madhe morale ia arriti që brenda vetëm një dekade të ndahet nga dhimbjet e të kaluarës dhe ta transformojë zonën e luftës dhe gjenocidit serb në një shoqëri të paqes, harmonisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Kosova është shembull i forcës për ndryshim, i fitores së të mirës ndaj të keqes, i vendosjes së drejtësisë historike”, ka thënë Topi para deputetëve të Kosovës.

Presidenti Bamir Topi tha se Shqipëria do t’i mbështesë aspiratat e Kosovës për integrime euroatlantike dhe përmbushjen e kritereve evropiane për udhëtim pa viza nëpër vendet e BE-së.

Ndërkaq, nga aspekti i zhvillimeve në rajon, Topi tha se e mbështet dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit duke e kuptuar atë si një dialog ndërmjet dy shteteve të barabarta që respekton plotësisht integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Ne mbështesim vullnetin e palëkundur të Kosovës për dialog të barabartë dhe intensiv me të gjitha vendet fqinje, përfshi edhe Serbinë duke e vlerësuar atë si investim pozitiv dhe në interes të vendeve e popujve të përfshira në këtë proces. Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm. Në vijimësi mbështesim përpjekjet e juaja për shtrirjen e plotë të autoritetit zyrtar në çdo pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Topi.

“Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë më shumë sesa miqësore – ato janë vëllazërore”, është shprehur Topi, i cili deputetëve në disa raste u është drejtuar me vëllezër dhe motra.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe, Topi ka takuar sot edhe zyrtarë tjerë të qeverisë, liderin e opozitës Isa Mustafën si dhe ka bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Nesër ai do të bëjë homazhe te kompleksi i Memorial në Prekaz dhe ai në Gllogjan.
Para largimit, presidenti Topi do të vizitojë edhe qytetin e Gjakovës.


* * * * *
Kreu i Shtetit shqiptar mikpritet me një ceremoni solemne nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të dy homologët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare.

Temat e bisedimeve plenare do të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore, rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha me interes të ndërsjellë, shtimin e numrit të vendeve që do të njohin Kosovën si dhe për perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Zëvendëskryeministrin , Behgjet Pacolli dhe me të tjera personalitete të larta shtetërore.

Një nga momentet më kulmore të vizitës shtetërore të Presidentit Topi do të jetë mbajtja e fjalës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Topi takohet edhe me Kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa dhe do të bëjë homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë kortezie në Familjen Rugova.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do të udhëtojë drejt Kompleksit Memorial në Prekaz, ku do të bëjë homazhe për nder të komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës në Gllogian, si dhe do të zhvillojë një vizitë në qytetin e Gjakovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni