Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot në mesditë në Repartin e Neurokirurgjisë, Leka Zogun I, i cili po mbahet nën mjekim intensiv për shkak të problemeve shëndetësore pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

http://www.botasot.info/img/topi17.jpgI shoqëruar në këtë vizitë nga anëtarë të Kabinetit dhe Drejtori i Shërbimit të Reanimacionit, Prof. Mentor Petrela, Presidenti Topi, pasi u prit nga i biri, Leka Zogu II, u informua fillimisht mbi gjendjen shëndetësore të Leka Zogut I, duke shprehur njëkohësisht vlerësimet për përkujdesjen dhe përkushtimin e treguar nga i gjithë stafi mjekësor. Duke u përshëndetur nga afër me Leka Zogun I, Kreu i Shtetit i uroi përzemërsisht përmirësim të shëndetit, shërim të shpejtë dhe rikthim në jetën aktive.

Me këtë rast, Presidenti Topi theksoi edhe para mediave të pranishme: “Sapo vizitova Leka Zogun I, natyrisht i preokupuar për shëndetin e tij, arrita që të komunikoj lirshëm me të. Pavarësisht gjendjes klinike, të cilën e ka përshkruar në buletinin mjekësor edhe Profesor Petrela, ai kishte një komunikim të kthjellët. I urova shërim të shpejtë dhe nuk e teprova duke qëndruar më shumë, sepse gjendje të tilla patjetër që kërkojnë qetësi. Gjithsesi komunikimi me të ishte i ngrohtë dhe do të thoja, atë që është shumë e rëndësishem në të tilla situata, shumë i kthjellët. Sipas Profesor Petrelës, ajo gjendje e riakutizuar nga problemet shëndetësore, tani po ristabilizohet. Natyrisht i urova shërim të shpejtë dhe kthim në gjendjen e mëparshme!”.

SHPËRNDAJE