QOU VADIS QEVERIA E TIRANËS: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka shpërthyer në një seri akuzash ndaj Kryeministrit Sali Berisha.

Akuzat vijnë një ditë pas sulmeve të kreut të qeverisë ndaj Topit, në një ceremoni në kujtim te disa viktimave të komunizmit, sipas të cilit Presidenti refuzoi të firmoste Ligjin për Lustracionin.

Kryetari i shtetit deklaroi se është Berisha që ka 22 vjet që vetëm u premton ish të përndjekurve dhe pronarëve, por nuk u realizon asgjë dhe kërkoi që më parë se të akuzojë, të sqarojë pozicionin e tij si komunist që në 1968 dhe fotot e shumta me anëtarët e byrosë politike.

Për Topin, ai ka firmosur një draft bashkë me Majkon, por ky draft u deformua dhe u shndërrua në një ligj antikushtetues.

 

“Unë, natyrisht që jam në dijeni të deklaratave dhe të një inkursioni të organizuar. Sërisht, duke dalë mjaft njerëz e duke akuzuar, unë kam ruajtur një profil shumë institucional, nuk jam marrë me ta, por duke dalë Kryeministri, sigurisht një përgjigje për të e kam. Për ta parë çështjen e ligjit në fjalë: Ky është një ligj, që është kthyer si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Është një ligj, që mori një kontestim të ashpër, do të thoja, edhe nga Komisioni i Venecias, edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Topi, raportojnë mediet në Shqipëri.

Ai më tej ka thënë se përsa i përket moralit të ligjit, “unë kam firmën time në vitin 2006 së bashku me zotin Majko, në një projektligj që asnjëherë nuk u miratua nga Parlamenti”.

“Pra edhe sot e kësaj dite, ai ligj meriton që të miratohet dhe jo të deformohet për t’u bërë antikushtetues”, ka theksuar presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Ai ka vazhduar edhe më tej të jap sqarime rreth moralit, duke thënë se njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës, duke iu referuar kryeministrit Sali Berisha.

“Ky personazh, ka marrë pak a shumë pamjen dhe fizionominë e David Koperfildit. Është bërë iluzionist. Ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën. Ndërkohë që ka qenë detyrimi i parë për ta realizuar”, ka thënë presidenti Topi.

“Pikërisht ky ka qenë programi i Partisë Demokratike, për të cilin ne jemi rivotuar në vitin 2005, për të cilin ne kemi bërë një luftë që ka qenë shumë parimore dhe kjo punë nuk mund të shkojë më me deklarata. E ka pasur mundësinë. Ka shtatë vjet që është për së dyti në pushtet dhe nuk e bën. Pra, kur bëhet pastaj ballafaqimi i figurave që nuk kanë të bëjnë fare me diktaturën, por që kanë konsumuar diktaturën e të tjerëve, ndërkohë që ky personazh që nga vitit 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar Partie, dhe njëzet e dy vite të tjera bën përralla me komunizmin dhe nuk i kompenson realisht duke e pasur në dorë mekanizmin, atëherë thoni ju se ku qëndron e vërteta”, ka theksuar Topi, duke u shprehur edhe njëherë se është pro hapjes se dosjeve, dhe, siç tha ai, “të jeni të sigurtë se me hapjen e dosjeve shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë”. /Zëri/

SHPËRNDAJE