Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte sot e ftuar e veçantë në promovimin e nismës së një grupi të rinjsh shqiptarë për zhvillimin e teknologjisë, inavocionit në Shqipëri. Projekti që synon nxitjen e mëtejshme të teknologjisë elektronike në edukim, arsim dhe fusha të ndryshme zhvillimi në vendin tonë, është pjesë e networkut ndërkombëtar TED, i krijuar që në vitin 1984.

Topalli duke përgëzuar të rinjtë organizator, tha se e ardhmja është teknologjia, inovacioni, që tashmë në Shqipëri janë realitet. Topalli vlerësoi faktin që të rinjtë shqiptarë janë konkurrues të denjë në teknologjinë e inovacionit, si sfidë kryesore në kohët e globalizmit.

Më tej Kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Të dashur të rinj dhe të reja. Ju faleminderit për ftesën që më keni bërë për të marrë pjesë në këtë forum tuajin të organizuar për herë të parë, TED Tirana. Unë ju përgëzoj përzemërsisht për këtë konferencë, ku ju të rinj dhe të reja, që besoni tek e reja, teknologjia, besoni tek inovacioni, po organizoni sot në Tiranë.

Në sajë të teknologjisë, ne kemi informacion për të udhëhequr zgjedhjet tona
Fatkeqësitë natyrore, terrorizmi, energjia, konkurrenca globale, ekonomia kanë lidhje me shkencën, teknologjinë, matematikën, inxhinierinë. Inovacioni është një ëndërr që bëhet fakt, një mundësi dhe një vizion që konkretizohet. Apple të bën të ndihesh unik sepse kur përdor teknologjinë e avancuar, ndjen se i takon dhe i përket një komuniteti të privilegjuar.

Po të shikojmë zhvillimet globale të viteve të fundit, të dekadave të fundit, GDP globale është rritur 5-6 herë më shumë, në sajë të zhvillimit të teknologjisë. Në sajë të një horizonti tjetër, njerëzore përmes idesë, besimit, forcës, energjisë e ka spostuar më përtej, për shkak të zhvillimit dhe në tërësi të një network dhe teknologjie të jashtëzakonshme që në një farë mënyre ju bënë ju të rinj të brezit tuaj në të gjithë botën, por edhe ne, që të bëhemi pjesëmarrës në një komunitet të inovacionit.

Teknologjia çon përpara zhvillimin, prosperitetin, çon përpara zhvillimin e ekonomisë. Kush më shumë se ju e përqafon i pari, të renë e fundit? Kush më shumë se ju kërkon i pari që të aplikojë, adaptojë shpikjen e fundit? Unë e kam shumë përzemër shkencën, jo thjesht për faktin që kam studiuar për matematikë. Shpeshherë me koleget e mia diskutojmë që, numri i juristëve është më i madh se i atyre që mbarojnë për matematikë; vërej që numri atyre që mbarojnë për ekonomi është më i lartë se i atyre që mbarojnë për shkenca politike; numri atyre që mbarojnë për letërsi, shkenca sociale është më i lartë se i atyre që mbarojnë për inxhinieri. Është kjo e ardhmja jonë? Është një pikëpyetje që ja bëjmë vetes si prind si dhe ju të rinj, si shoqëri. Në sfidat e sotme të globalizmit ne duhet të jemi të parët. Dhe është fakti që TED-Tirana ndodhet sot këtu në Shqipëri, aty ku i takon. Një vend që për shkak të shtresave të saj sociale, të një popullsie të re, të një energjie dhe vizioni të jashtëzakonshëm adapton ndër të parët teknologjitë e fundit. Unë jam e sigurt që secili prej jush me iphone, ipad, ipod e ndjen veten unik. Ju mund të merrni në të njëjtën kohë muzikën, informacionin, internetin, videon, lajmin, që doni dhe atë e keni në dorë, s’mund t’jua marrë kërkush; dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme.

Në fund të fundit informacioni na drejton secilin prej nesh, që të bëjmë zgjedhjet tona në jetën e përditshme. Dhe kjo konferencë është një shans shumë i rëndësishëm për të shpalosur ide të reja. Secili prej jush jeni të pavarur në ide, në vizion, në profesion, në horizontin tuaj.
Në fund të fundit secili prej nesh do të dalë nga kjo sallë me një ide shumë të veçantë. Në fakt deja çon përpara shoqërinë, çon përpara ekonominë.
Të gjithë ne, bashkë jetojmë nën një qiell, por secili prej nesh kemi horizonte të ndryshme. Ejani së bashku t’i shtyjmë më përtej këto horizonte dhe të rinjtë shqiptarë e bëjnë këtë më mirë se kushdo tjetër.
Ndaj dhe unë ju falënderoj dhe ju uroj shumë suksese. Unë do të dëshiroja që së bashku me ju të nderojmë edhe një ndër gjenitë e botës, Steve Jobs që është ndarë dje nga bota. Një njeri që revolucionarizoi çdo gjë, që nga Macintosh tek ipad, iphone, iPod e me radhë; të njeriut që nuk mbaroi fakultet, por që u thoshte studentëve, përpara se të ndahej nga jeta, “mos shkoni pas dogmave, mos jetoni jetën e të tjerëve, besojini zërit të brendshëm, shkoni pas zërit që ju thërret nga brenda, se ai është zëri i të vërtetës”.
Në qoftë se ju e realizoni këtë, ju mund të jeni të suksesshëm! Dhe unë e di që, kjo konferencë do të jetë e suksesshme. Shumë urime”, tha në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

SHPËRNDAJE