Topalli takime me Ivanov e Gruevskin, mbështetje Maqedonisë për në NATO

Projektet infrastrukturore e Rruga e Arbrit do afrojnë Shkupin me Tiranën

Vizitën e saj zyrtare në Maqedoni, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka mbyllur në një takim me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, të cilit i shprehu mbështetjen e Shqipërisë në proceset e anëtarësimit në NATO. “Shqipëria mbështet përpjekjet dhe aspiratën e Maqedonisë për anëtarësimin në NATO. Ne do të jemi përkrah jush deri në finalizimin me sukses të këtij procesi. Ju me kontributin që keni dhënë jeni pjesë e kësaj Aleance, edhe pse jo formalisht”, u shpreh Topalli gjatë takimit. Nga ana e tij, Kryeministri Gruevski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Maqedonisë ndaj këtij procesi, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e mira politike mes Shkupit dhe Tiranës, të cilat, tha ai, i përgjigjen sot me një dinamizëm të shkëlqyer bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera. “Unë konstatoj me kënaqësi dinamikën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve, por se projektet e përbashkëta, të shprehura edhe përmes bashkëpunimit ekonomik kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e mbarë rajonit. Një nga prioritetet e Maqedonisë mbetet anëtarësimi në NATO dhe ne kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë proces të rëndësishëm, të cilin ne e nisëm së bashku me Shqipërinë”, tha Kryeministri Gruevski. Ne, tha Kryetarja Jozefina Topalli, si dy vende mike ndajmë të njëjtat vlera e objektiva për integrimin. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u ndal tek projekti madhor i qeverisë shqiptare, ai i ndërtimit të rrugës së Arbrit, e cila do ta bëjë bashkëpunimin dhe afrimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë edhe më dinamik.

Presidenti maqedonas, George Ivanov e cilësoi vizitën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli si shenjë e lidhjeve të ngushta që dy vendet kanë me njëra-tjetrën, si shembulli më i mirë i fqinjësisë. Në vijim të vizitës zyrtare në Maqedoni, Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit në një takim nga Presidenti Ivanov, i cili vlerësoi të rëndësishëm intensifikimin e marrëdhënieve bashkëpunuese midis dy vendeve në këtë moment integrues”. Kryetarja Jozefina Topalli tha se prioriteti kryesor, integrimi në BE, është angazhim i përbashkët dhe një objektiv që bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të punuar fort për shndërrimin e një rajoni, pjesë të familjes evropiane. Në vijim, Kryetarja e Kuvendit tha se infrastruktura rrugore është një ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare, ku pas rrugës së Kombit, janë duke u realizuar projekte madhështore si rruga e Arbrit, rruga Tiranë-Elbasan etj. “Ne jemi të bindur dhe i kemi të gjitha potencialet që përmes ritmit të pandalshëm të reformave do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni