Topalli: Shkruani historinë, e mos u ndikoni nga çfarë themi ne

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte sot në Pogradec për të nderuar dy të rinjtë Skënder Çela dhe Mark Toçi, të pushkatuar pa gjyq, në dhjetor të vitit 1946 nga ish-regjimi komunist.

http://www.botasot.info/img/pogradec2.jpegPranë memorialit të ngritur në nderim të dy të rinjve, Kryetarja e Kuvendit tha se: “kjo ditë është një ditë kujtese pas 65 vitesh. Një ditë kujtese e mbushur me dhimbje të forta, jo vetëm për familjarët e këtyre dy të rinjve, por për të gjithë ne. Kjo ditë është në kujtim të sakrificës së nënës, motrave të tyre, dhe gjithë atyre që kanë përjetuar terrorin dhe represionin, që ai sistem solli në këtë vend”.

“Skënder Çela dhe Mark Toçi. Dy të rinj, që kishin të drejtë të besonin ëndrrën e një Shqipërie të lirë, e një Shqipërie të bukur, një Shqipërie të drejtë. Por që në fakt një natë në terr, në pabesi, pa gjyq dhe me plumba pas shpine, përfundojnë të hedhur diku, pak kilometra më tej. Sot është një ditë kujtese, por është edhe një ditë nderimi me përulje ndaj dy djemve të rinj, dy studentëve që kishin bërë shkolla të mira. Ata mendonin që duke studiuar t’i shërbenin më mirë vendit të tyre.

Nderim Skënder Çelës dhe Mark Toçit, për veprën e tyre, një vepër që u ngrit mbi sakrificën e jetës së tyre. Por nuk u ndal këtu. Do të ishte sakrifica e nënave, motrave dhe vëllezërve të tyre, do të ishte një dhimbje që do të thërriste, do të ishte një dhimbje që do të zgjaste me vite përmes internimeve të familjes së tyre. Unë vazhdimisht i kam ftuar ata që kanë për detyrë të shkruajnë historinë, ata që kanë dëshmi, ata që kanë diçka për t’i treguar këtyre të rinjve që janë këtu sot, bashkë me ne dhe që duhet të dëgjojnë për terrorin e asaj periudhe. Shkruani historinë, e mos u ndikoni nga çfarë themi ne. Mos u ndikoni nga asnjë lloj propagande, por shkruani atë që është e vërtetë. Të vërtetën!. Ne duhet të jemi të vërtetë me të vërtetën e historisë tonë ! Ne duhet të jemi të vërtetë me fëmijë tanë; ne duhet të jemi të vërtetë me vendin tonë.

Unë sot falënderoj dhe ish-Presidentin e asaj periudhe, Sali Berisha që i dha titullin “Martir i Demokracisë” Skënder Çelës e Mark Toçit. Në fakt, ky memorial nuk është vetëm memoriali i këtyre dy të rinjve. Është memorial për të gjithë ata që gjatë asaj periudhe, pabesisht, paburrërish në mënyrën më çnjerëzore janë vrarë dhe eshtrat e tyre ende ndoshta nuk janë gjetur. Unë sot dua t’i shpreh jo vetëm dhimbjen, por edhe gjithë mbështetjen të gjithë familjarëve”, tha në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni