Topalli: Ne jemi mirënjohës ndaj Turqisë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në një takim ministren turke të Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Sahin, si dhe delegacionin që e shoqëronte.

http://www.botasot.info/img/sahin_topalli.jpgRritja ekonomike, shkëmbimet tregtare, projektet në fushat të ndryshme si sociale, infrastrukturore, arsimore, kulturore etj ishin disa nga temat kryesore ku palët biseduan gjatë takimit.

“Shqipëria është urë lidhëse në Adriatik dhe në Ballkan, është një vend që ka bërë progres të gjithanshëm me reformat, dhe duhet të shërbejë si model edhe për vendet e tjera”, ky ishte vlerësimi që ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Sahin i përcolli gjatë takimit Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ndërsa vlerësoi progresin e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë në vitet e fundit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e cilësoi këtë vizitë si shprehje e lidhjeve miqësore por edhe bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve.

Duke vlerësuar protokollin e bashkëpunimit të nënshkruar në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ekonomik shqiptaro-turk, Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Turqisë, e në mënyrë të veçantë të vet kryeministrit turk Erdogan ndaj Shqipërisë.

“Nënshkrimi i këtij protokolli është një oportunitet i vërtetë për të ndërmarrë projekte të rëndësishme që nxisin zhvillimin e mëtejshëm. Shqipëria është një vend i vogël por që ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm brenda një kohe të shkurtër. Ne jemi mirënjohës ndaj Turqisë dhe vet kryeministrit Erdogan në mbështetje të Shqipërisë”, tha Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Gjatë takimit, Topalli dhe Sahin biseduan edhe për rëndësinë e forcimit të rolit të gruas në vendimmarrje. Në këtë kuadër, ministrja turke i përcolli Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ftesën për të marrë pjesë në punimet e konferencës që do të organizohet në Stamboll, me temë “Transformimet në shoqërinë myslimane dhe roli i gruas në shoqërinë myslimane”, e cila do të mbahet më datë 23 dhjetor 2011.

“Unë ju ftoj ju, që si shembull i rëndësishëm i rolit të gruas në vendimmarrje të ndani përvojën tuaj me vendet që sapo kanë dalë nga Pranvera Arabe”, i tha Sahin, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Ftesë, të cilën Topalli e pranoi me kënaqësi.

Marrëdhëniet mes dy vendeve, në bazën e të cilave qëndron miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, e kulturore midis dy popujve, kanë njohur, gjatë viteve të fundit, zhvillime shumë të rëndësishme, jo vetëm në fushën politiko-diplomatike, por edhe në atë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, investimeve etj.

Turqia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë e tregtarë për Shqipërinë. Investimet direkte dhe kontraktore të Turqisë në Shqipëri arrijnë në 1 miliard USD.

Volumi tregtar për vitin 2010, kapi shifrat e 366 milion dollarë , ndërsa për 9 muajt e parë të vitit 2011, eksportet e Shqipërisë drejt Turqisë, janë dyfishuar, nga 57 milionë në 107 milionë USD, ndërkohë që importet nga Turqia janë të nivelit të vitit 2010, rreth 206 milionë dollarë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni