Përmes një feste madhështore, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi gratë shqiptare me rastin e Festës së 8 Marsit. Topalli theksoi se në 100-vjetorin e Pavarësisë nderohen ato gra që nuk i’a dimë emrat, ato që mësuan e ruajtën gjuhën shqipe, ato nëna që lindën Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Me zemër dua t’ju uroj qofshi gjithmonë bija të gëzuara, nëna të lumtura, gra të suksesshme. “Kudo në botë, në çdo vend, në çdo shtëpi, kujtojnë 8 Marsin, në mënyra e forma të ndryshme. Është Dita e Gruas, është dita jonë. Për ne gratë shqiptare, kjo ditë e këtij viti është më e veçanta. Në 100-vjetorin e flamurit, ne që jemi këtu, e çdo grua kudo që është, kujton me krenari ikonat e trimërisë, fisnikërisë dhe sakrificës tonë. Kujtojmë Teutën e Vojsavën, nderojmë Marigonë e Shotën, na frymëzojnë Rozafa e Nënë Tereza. Nderojmë nënat e atyre që themeluan e ndërtuan shtetin shqiptar. Nderojmë ato mijëra gra shqiptare që vuajtën dhe përjetuan regjimin komunist. Një nderim i veçantë, edhe për gratë shqiptare në Kosovë. Ne jemi krenare për trashëgiminë që ato na kanë përcjellë në shekuj. Në këtë jubile, ne jetojmë ditët më të mira të shqiptarisë. Jetojmë ditët e lirisë së kombit, krenare për Shqipërinë tonë”, tha Topalli. Duke folur në emrin e Kuvendit të Shqipërisë, kryeparlamentarja Topalli theksoi se me gjithë zemër shpreh mirënjohjen e thellë për gruan shqiptare, për nënat tona të dashura, për nënat e nënave tona, për sakrificën e tyre në vite, për dhimbjen e dashurinë e tyre të pamatshme, për bukurinë e shpirtit të tyre, për punën, për zemrën e tyre të madhe, për mësimet e fjalët e tyre të mençura, për shpresën që na kanë dhënë në çdo kohë, në çdo ditë. Bashkë me koleget e mia, dua të përgëzoj çdo grua shqiptare, për çdo gjë që ato kanë bërë gjatë këtyre 20 viteve, dua të falënderoj mësueset, infermieret, mjeket, tha Topalli. Duke përgëzuar gratë që drejtojnë biznese, gratë në jetën akademike, gratë në media, gratë e artit dhe kulturës për arritjet e tyre. “Mendimi më shkon edhe tek çdo grua shtëpiake, që i është dedikuar krejtësisht fëmijës dhe familjes. Dua të shpreh admirimin tim për ato gra që rrisin të vetme fëmijët e tyre. Këto janë nëna heroina. Para se të vija këtu, nëna ime më përsëriti një këshillë që ma jep gjithmonë, të mos ju thoja fjalë të bukura, por t’ju thoja fjalë shpirti. Këtë këshillë unë po e ndjek me besnikëri edhe sot. Sepse jo tani, por gjatë gjithë jetës time kam besuar se nëna ka gjithmonë të drejtë. Si politikane, kjo këshillë e nënës më është bërë edhe më e vyer! Ashtu si unë, ju keni historitë tuaja personale, kujtimin e të paktën një gruaje që ju ka ndihmuar dhe inkurajuar në jetën e përditshme apo në punën tuaj. Tani, radhën e kemi ne! Ne, sot kemi përgjegjësinë për të ndihmuar dhe inkurajuar brezin e ardhshëm, për të bërë punën tonë për gratë e së nesërmes. Në këtë sallë ne jemi shumë, në shoqërinë tonë ne jemi më shumë, jemi më shumë se gjysma. Dhe kjo është pjesa më e përgjegjshme, gjysma që guxon më shumë”, tha Topalli, duke shtuar se po të lexohet historia gratë në shekuj e mijëvjeçarë nuk shfaqeshin, ishin gati të padukshme. Në shekuj drejtuesit ushtarakë ishin burra, pronarët e tokave ishin burra, tregtarët ishin burra. Ajo theksoi se të gjitha gratë janë të brishta, por të forta. Kryeparlamentarja Topalli u shpreh se ku ka grua ka shpresë, ku ka nënë ka dashuri, ku ka bijë ka diell, ku jeni ju është jeta.

SHPËRNDAJE