TIRANË – Klubi i Patriotëve të Rinj zhvilloi sot një protestë paqësore para ambasadës serbe në Tiranë kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Luginën e Preshevës. Protestuesit mbanin pankarta në duar, ku ndër të tjera shkruhej: “Të gjithë jemi UÇPMB”, “Lugina nuk është vetëm”  “Një komb, një qëndrim”, ata i kërkuan ambasadorit serb në Tiranë të jepte arsyen e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së. Mes brohoritjeve: “Presheva është Shqipëri” apo “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, Klubi i Patriotëve të Rinj i kërkoi qeverisë shqiptare, që të dëbonin ambasadorin serb në Tiranë për padrejtësinë që iu bë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj, Ardit Bido në një prenoncim për mediat u shpreh se, heqja e lapidarit të UÇPMB-së është një padrejtësi, që i bëhet jo vetëm shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Shqipërisë dhe atyre të Çamërisë.

“Ne sot po zhvillojmë një protestë paqësore përpara Ambasadës së Republikës së Serbisë për një padrejtësi, që i është bërë jo vetëm Luginës së Preshevës, jo vetëm shqiptarëve të Preshevës por shqiptarëve të Malit të Zi, shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Çamërisë, sepse lapidari i hequr në Preshevë është lapidari i të rënëve të kombit shqiptar”, u shpreh Bido. Me tej Bido tha se, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe të gjithë shqiptarët ndihen të fyer për dhunimin që iu bë martirëve të kombit tonë dhe se Ambasada serbe në Tiranë duhet të japë arsyetim për heqjen e lapidarit. “Ne, të gjithë shqiptarët ndihemi të fyer nga kjo padrejtësi, ndihemi të fyer nga dhunimi që iu është bërë martirëve të kombit tonë. Ne sot kërkojmë që Ambasada e Republikës së Serbisë të japë asyetimin e këtij veprimi të paprecedent, të kësaj burracakërie, që iu është kundërvënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që jetojnë në trojet e tyre kombëtare”, tha Bido.

Më tej ai tha se, Klubi i Patriotëve të Rinj në këtë protestë kërkon dëbimin e ambasadorit serb në Tiranë dhe se si qeveria shqiptare, edhe ajo e Kosovës duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për t’iu kundërvënë dhunimit që i bëhet popullit shqiptar. “ Ne kërkojmë nga autoritetet qeveritare shqiptare dëbimin e ambasadorit të Serbisë në Shqipëri dhe njëkohësisht ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në të gjitha ato institucione, ku ka akses qeveria shqiptare. Gjithashtu, ne kërkojmë që autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe autoritetet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha hapat e domosdoshme, për t’iu kundërvënë kësaj frike ndaj shqiptarëve, për t’iu kundërvënë këtij dhunimi të martirëve të kombit tonë dhe kësaj fyerjeje, që i është bërë të gjithë kombit shqiptar”-përfundoi Bido.

/Shekulli Online/M.A./

SHPËRNDAJE