KQZ do të mblidhet sot paradite në orën 10 për të vendosur mbi fatin e atyre fletëve të votimit, të cilat gabimisht janë hedhur në një tjetër kuti votimi, ndonëse ishin fletë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Në Tiranë, ndryshe nga qytetet e tjera, u votua në katër kuti, njëra për kryebashkiakun, tjetra për anëtarët e këshillit bashkiak, një për kreun e minibashkisë nga 11 gjithsej dhe e fundit për këshillin e minibashkisë.

Gjatë procesit të numërimit u konstatuan me dhjetëra raste të fletëve të votimit për kryetarin e bashkisë të hedhura në kutinë gabuar, për të cilat mazhoranca kërkon numërim dhe përllogaritjen e tyre në rezultatin për Tiranen.

Por, opozita e cila pretendon fitoren e kandidatit të saj në Tiranë, Edi Rama, me një diferencë prej 10 votash në favor, ndaj kandidatit të mazhorances Lulzim Basha, kërkon zyrtarizimin e rezultatit nga KQZ.

Përfaqësues të saj pritet të mblidhen përpara këtij institucioni në shenjë proteste për mos shpallje të rezultatit sikundër dhe një ditë më parë kur deputetë socialistë u futen në sallën ku zhvillon mbledhjet KQZ.

Një dite më parë kryetari i KQZ Arben Ristani u detyrua të shtyjë mbledhjen, një situate që ka gjasa të ripërsëritet edhe sot nëse deputetët e majtë zbatojnë të njëjtin skenar duke u futur në sallën e mbledhjeve të KQZ-së.

SHPËRNDAJE