Tirana e Prishtina t’i mbrojnë shqiptarët në Maqedoni

largea_z_22221404713760Publicisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, i ka porositur Tiranën dhe Prishtinën zyrtare ta mbrojnë interesin e shqiptarëve të Maqedonisë, e jo interesin e elitave politike shqiptare.
Kim Mehmeti, duke folur për ngjarjet e fundit në Maqedoni, sidomos pas protestave kundër dënimit me burgim të përjetshëm të 6 shqiptarëve në rastin “Monstra”, i ka ftuar Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve në Maqedoni e jo interesat e elitës politike shqiptare në këtë vend.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, ai ka treguar se ky shtet për elitat është parajsë, por popullit shqiptar nuk i jep asgjë.

Sipas tij, bashkëfajtorë për pozitën e rëndë të shqiptarëve në këtë vend janë edhe këto elita.

“Vlerësoj se Tirana dhe Prishtina duhet të bëjnë dallim ndërmjet asaj ç’është mbrojtje e popullit, nga mbrojtja e interesit të elitave të këtushme partiake shqiptare, e për të cilat elita, Maqedonia është parajsë që atyre ua ofron të gjitha, e popullit shqiptar nuk i jep asgjë! Andaj mendoj se Prishtina e Tirana zyrtare nuk duhet të shtiren se nuk e dinë se bashkëfajtorë për këtë pozitë mjerane të shqiptarëve të këtushëm janë edhe kryesuesit e partive shqiptare në Maqedoni”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka bërë, me dije se reagimet e tyre zyrtarët e Tiranës dhe Prishtinës duhet t’ua adresojnë edhe miqve të tyre shqiptarë të Maqedonisë me të cilët, sipas tij, hanë dreka e darka dhe kanë biznese të përbashkëta.

“Andaj, mendoj se Tirana e Prishtina duhet më në fund të vendosin se a do të vihen në mbrojtje të popullit, apo në mbrojtje të elitave të këtushme partiake shqiptare, me të cilat shumë nga politikanët në Shqipëri e Kosovë nuk i lidh interesi i popullit, po thellësia e xhepi”, është shprehur Mehemti. Duke folur për protestat e fundit në këtë vend, ai ka thënë se harmonia ndëretnike nuk ka ekzistuar kurrë në Maqedoni.

Mehmeti ka kritikuar shumë faktorin politik shqiptar në Maqedoni, duke thënë se shqiptarëve të këtij vendi u është vrarë shpresa nga ata që ua sollën në vitin 2001.

“Ndonjëherë kam përshtypjen se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk zgjedhim përfaqësues tanë politikë, por vëzhgues të cilët kanë për obligim ta monitorojnë situatën e këtushme politike dhe të dalin me deklarata nëpërmjet të cilave do t’u japin këshilla shqiptarëve të mos bien pre e provokimeve, që të jenë të durueshëm!? Por, pa treguar kush janë provokuesit e, mbase, duke harruar se ata i provokon regjimi, pjesë e të cilit është edhe BDI-ja”, ka thënë Mehmeti.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni