Ky muaj (korrik), që po shkon, duhet të na mbetet në kujtesë edhe për një përvjetor tjetër; për 62 vjetorin e botimit të numrit të parë të Revistës Letrare “Jeta e re”.

Nisur nga rëndësia kujtimore për këtë revistë, do të përpiqem, nga përkatësia ime, ta bëj një shënim të shkurtër për të. Posa ta kemi shikuar ballinën, me atë pamjen e saj tradicionale, që nuk ka ndryshuar dekada me radhë dhe anën vëllimore të saj, do të bindemi se kemi të bëjmë me një revistë-libër që ka merituar të adhurohet. Në krye të faqes 3 të këtij numri, pra, aty ku fillon botimi i materialit të revistës, shkruan: Jeta e re – organ i Lidhjes së Shoqnive Kulturo-arsimore për Kosovë e dhe përfundi, brenda një kornize picigjate anembanë faqes shkruan: Vjeti I Korrik 1949 Numri 1. Po në këtë faqe Redaksia paraqitet me shkrimin, në formë të një letre dërguar lexuesve: “Punëtorë intelektualë, të gjithë ju që merreni me letërsi dhe punë kulturore!” dhe, duke mos e fshehur entuziazmin, redaksia fton të lartëcekurit: “Prandej, thërrasim gjithë punëtorët intelektualë shqiptarë që të na shtrijnë dorën e bashkëpunimit në mbajtjen dhe vijimin e kësaj reviste…”, dhe në fund përfundon me kushtresën: “Pra, në punë!” Mëtutje, në vijim mund të lexojmë 88 faqe të materialit, me tema të llojllojshme letrare.

Është shkruar disa here për anën teknike të materialit të radhitur në këtë numër – prandaj, kësaj radhe nuk do të ndalem aty. Është shkruar edhe për rëndësinë e revistës “Jeta e re” e cila ka meritat kryesore për shtruarjen, trapisjen dhe ngjitjen në breg të rrugës së një letërsie të re të Kosovës, e cila ia doli me krenari të depërtojë edhe jashtë mexhave gjuhësore e truallësore në qarqet ballkanike e jashtëballkanike. Njeriu, siç është thënë sa e sa herë, nuk shkollohet, as trajnohet e aq më pak urdhërohet për t’u bërë shkrimtar. Sistemi monist u pat përpjekur mjaft që t’i bëjë për vete shkrimtarët, por pak pat arritur. Këtë e dëshmon puna dhe sukseset e revistës “Jeta e re” ku kanë punuar dhe aktivizuar qindra dashamirës dhe krijues letrarë. E këtë e ka dëshmuar edhe gjithanshmëria e personalitetit të Esad Mekulit. Ky veteran i kësaj pjese të letërsisë shqipe me gjeturitë e tij, për çdo lakmi, duke qëndruar si roje në ‘derën’ e revistës ia doli ta shtatërojë dhe ta pjekurojë atë. Ai ka qëndruar ditën e natën në ‘derën’ e saj, duke i prapuar qëllimkëqinjtë, “partiashët me detyrë”, apo edhe ndonjë tjetër qëllim a punëkeq. Baca Esat qysh në këtë numër i parakëshillon : “…shkrimtari ynë duhet …gjithëmonë i dispozuem, optimist, gjithëmonë tue këqyrë jetën me gëzim, tue pasë gëzim, tue pasë besim në fuqinë e njeriut për jetë ma të mirë dhe ma të bukur.” f.11. Lexojeni edhe një herë, ju lutem “tue pasë besimin në fuqinë e njeriut për jetë ma të mirë dhe ma të bukur.” Esad Mekuli nuk ishte i vetëm aty. Kishte aty ai edhe burra të tjerë në të djathtë e në të majtë: Esadin tjetër, pra, atë Sat Nokshiqin, Mark Krasniqin, Zekeria Rexhën, Lorenc Antonin, Rexhep Hoxhën, Enver Gjerqekun (e shumë të tjerë, në numrat vijues) të cilët, shumica, deri në vdekje, mëkuan me mençuri e guxim letërsinë që do të lindte. “Të mësohemi edhe me shembëllat e të tjerëve që të mujmë të përdorim armën e fuqishme të fjalës artistike.” f.9 – ishte kjo këshilla e Esadit, por u bë moto e gjithë bashkëvepruesve të atyre dhe viteve dhe viteve të tjera. Sepse (po e citoj edhe një herë), “letërsia ndikon fuqishëm… Prej letrarit kërkohet të përplotësojë veprën e vet me gjallni” f.10. (ma merr mendja se fjala e fundit ka pasë edhe domethënien – duke qenë qëndruar gjallë!).

Ka edhe shumëçka të qëmtohet nga shkrimet e para të këtij numrit Një të kësaj reviste.

Derisa Zekeria Rexha, p.sh. shkruan: “Asht e dijtun se populli shqiptar i Krahinës sane ende nuk ka gjuhën e vet letrare, t’unjisueme, sepse deri tash për rrethana dhe arsyena që dihen mirë, nuk ka qenë e mundun të bahen përpjekjet e duhuna në këtë dejtim.” f.14. E lexojmë aty edhe një konstatim të këtij gjuhëtari, të cilin e kanë thënë me dhjetra e dhjetra herë kritikuesit e gabimeve tona gjuhësore: “disa sish që këtu na shkruejnë në gjuhën shqipe, nuk mendojnë shqip, por në nji gjuhë tjetër, e këtu, në rastin tonë, ma shumë në gjuhën serbishte. Kështu, pra, mendojnë serbisht dhe shkruejnë shqip.”

SHPËRNDAJE