Thaqi: Nuk do të lejoj keqpërdorimin e të drejtës për protestë

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të institucionit që drejton, ka shprehur “keqardhjen e thellë për protestën e dhunshme, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cenohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdorë të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjetime të shtetit tonë”, thuhet në deklaratën e Thaçit.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standrdeve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nën kontroll gjatë protestës.

Kreu i ekzekutivit tha se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me protestën në fjalë dhe do të japin “sqarime profesionale, të cilat duhet të saktësojnë qartë se a ka pasur tejkalim të përdorimit të mjeteve dhe metodave për zbatimin e operacionit për garantimin e lëvizjes së lirë gjatë protestës”.

Lëvizja Vetëvendosje, të shtunën , ka organizuar një aksion në pikat kufitare: Merdarë dhe Dheu i Bardhë, me qëllim ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, por është penguar nga Policia e Kosovës.

Kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për shpërndarjen e protestuesve.

“Vetëvendosje” ka paralajmëruar se do të organizojë aksion të ngjashëm të dielën e ardhshme, përkatësisht më 22 janar.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni