Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon turin e tij me darka për punëtorët e arsimit nëpër komunat e Kosovës. Të premten mbrëma në Rahavec, kryeministri Thaçi ka darkuar me punëtorë të arsimit të kësaj komune, duke i garantuar ata se Kosova nuk ka humbur asnjë cent nga rritja e pagave për mësimdhënësit në raport me komunitetin ndërkombëtar.

Thaçi i ka përgëzuar ata për përmbylljen edhe të një viti të suksesshëm shkollor, por duke mos u premtuar rritje të reja të pagave. “Rritja e pagave për ju ka qenë vendimi më i drejtë i mundshëm, ndoshta i vonuar, sepse ju keni qenë, sipas tij, mësimdhënësit më të diskriminuar në Evropë. Nisur nga kjo gjendje ne kemi marrë vendime të rëndësishme për ju. Nëse e krahasojmë qeverisjen tonë nga viti 2008 dhe qershor 2011, paga bazë e juaj është rritur 90 për qind,kurse vetëm në këtë vit 50 për qind”, ka pohuar Thaçi, para punonjësve të arsimit, por që në këtë darkë ka munguar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe anëtarët e kabineti të tij.

Kryeministrin Hashim Thaçi e kanë shoqëruar ministri i Arsimit, Ramë Buja dhe ai i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

SHPËRNDAJE