Partia Demokratike e Kosovës gjendet në “udhëkryq” për të tejkaluar krizën politike pas skandaleve të fundit, ku dyshohet se janë të zhytur figurat e larta qeveritare. Derisa po afrohen bisedimet politike me Serbinë, një zyrtar brenda PDK-së në kushte anonimiteti ka thënë se kjo parti është në “hall”, a të provojë të mbijetojë mandatin me koalicionin aktual, të marrë në qeveri partitë e vogla, apo të shfrytëzojë kërkesën e LDK-së për dorëheqjen e presidentes dhe në këtë drejtim të shkohet në zgjedhje të parakohshme, për ta parë mundësinë që të rikthehet në Qeveri me legjitimitet të ri dhe më të fortë.

Mirëpo, sipas burimeve brenda PDK-së, verdiktin për këtë çështje pritet ta marrë shumë shpejt partia. Megjithatë, sipas këtij burimi, partia e kryeministrit Thaçi seriozisht është duke shikuar kërkesën e LDK-së për dorëheqjen e presidentes.

Ndërkaq, zyrtarë të kësaj partie zyrtarisht kanë thënë se koalicioni aktual po funksionon mirë, duke përjashtuar, sipas tyre, disa “skandale të vogla”. Ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, shkruan “Zëri”.

Se PDK-ja duhet ta respektojë marrëveshjen mes tre liderëve të arritur vitin e kaluar e ka thënë edhe nënkryetari i saj, Fatmir Limaj.

Ditë më parë ai për mediet kosovare ka thënë se PDK duhet ta respektojë këtë marrëveshje. “Nëse PDK nuk e respekton këtë marrëveshje atëherë askush nuk do t’i besojë për marrëveshje të tjera”, ka thënë Limaj. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE