Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se sa i përket zërave për dialog rreth çështjes së veriut, ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do të ketë asnjëherë dialog për këtë çështje me Serbinë, ndërkohë ka thënë se ia ka bërë të qartë edhe ndërkombëtarëve se për ndryshime të kufijve shqiptarët mund të jetojnë më së miri në një shtet të vetëm. Ndërsa opozita ka deklaruar se Serbia po vazhdon të ndërhyjë edhe më shumë në territorin e Kosovës, dhe kjo po ndodh edhe me kompromiset që po i bënë Kosova.

Këto deklarime u bënë të enjten gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Por, para fillimit të seancës së Kuvendit, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur një takim mes kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, përfaqësuesit special ndërkombëtar ICO, Peter Faith, ambasadorit italian, Michael Giffoni, atij francez Jean Francois Fitou, ndërsa besohet se në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ambsadori gjerman.

Gjithashtu pritet që gjatë ditës të votohet një rezolutë e shkruar nga gjitha partitë pjesëmarrëse në Kuvend, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka marr pjesë në hartimin e kësaj rezolute.

Kryeministri ka thënë se institucionet e vendit dhe faktori politik në vend kanë një qëndrim unik kundër pretendimeve serbe për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovës.

Për më tepër ai ka shtuar se Republika e Kosovës nuk do të lejojë asnjë shtet tjetër fqinj që të organizojë zgjedhje të çfarëdo lloji në territorin e Republikës së Kosovës.

Shefi i qeverisë ka thënë se zëra që përfolën për një dialog për çështjen e veriut janë të paqëndrueshme, duke thënë se asnjëherë nuk do të bisedohet për këtë çështje me Serbinë.

“Dëshiroj të theksoj se sa i përket ideve apo zërave të ndryshëm që paraqiten aty këtu për ndonjë dialog për veriun e Mitrovicës, e them shumë qartë se një dialog i tillë as nuk ka ekzistuar, as nuk ekziston, as nuk do të ndodhë. Por takime, kontakte, dialog të brendshëm me shtetas që jetojnë në atë pjesë ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Por në ansjë rrethanë me asnjë çmim me Serbinë”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se pretendimet që paraqiten aty këtu për autonomi e status special janë të pavërteta dhe nuk do të ndodhin.

Për pretendimet për ndryshim të kufijve, Thaçi ka thënë se këtë gjë ia ka bërë të qartë edhe ndërkombëtarëve se shqiptarët mund të jetojnë më së miri në një shtet të vetëm.

“Edhe sa i përket pretendimeve për ndryshime të kufijve, iu kam bërë të qartë gjithë miqve ndërkombëtarë, se me pretendimet e tilla shqiptarët më së miri do të mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, ka deklaruar ai.

Gjatë kohës së deklarimeve parlamentare, jashtë rendit të ditës, deputeti Glauk Konjufca ka thënë se Serbia evropiane po vazhdon të ndërhyjë edhe më shumë në territorin e Kosovës dhe me kompromiset që po i bënë Kosova.

“Serbia e mban veriun e barrikaduar, i mban peng partitë serbe të paintegruara, i mban zgjedhjet dhe shkakton dhunim të sovranitetit dhe përkundër të gjithave këtyre ajo e merr ststusin e vendit kandidat. Qysh është e mundur kjo? Çka ka heq dorë Serbia prej Kosovës që e fitojë statusin e vendit kandidat. Ajo nuk ka hequr dorë asgjë. Asaj po i mundësohet njëra këmbë në BE”, ka thënë Konjufca.

Për më tepër ai ka shtuar se zgjedhjet serbe janë turp i madh për Qeverinë e Kosovës dhe BE-në.

Ndërsa Vjosa Osmani, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se para një javë është bërë një vit nga fillimi i dialogut dhe sipas saj, injorimi që Qeveria i bëri Kuvendit, u pa me faktin se dialogu filloi dy ditë para se të bëhej rezoluta.

“Kuvendi përmes kësaj rezolute paraqet obligimet e qarta. Jo rastësisht Raporti i Progresit potencon se ndikimi i Qeverisë në Kuvend është shqetësues, sa që Kuvendi nuk po mund të luajë rolin e vet kushtetues”, ka thënë Osmani.

Për më tepër ajo ka shtuar se kjo obligon raportimin e rregullt të kryenegociatores Edita Tahiri në Kuvend, duke lexuar edhe pikat e rezolutës që parasheh raportimi i Qeverisë para Kuvendit.

Ndërsa deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu ka ngritur çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, që sipas tij shteti maqedon po vazhdon me shovinizëm ndaj shqiptarëve.

“Shqiptarët në Maqedoni shtypen nga shteti maqedon dhe ato janë fryt i shovinizmit maqedon. Atje shteti e nxiti dhe po vazhdon ta nxisë shovinizmin. Më e keqja është se gjatë tërë kësaj kohe, Prishtina ka heshtur madje ka ndodhur që të jetë edhe në anën e krimit”, ka thënë Aliu.

Më pas seanca ka vazhduar me pyetjet parlamentare, ndërsa do të vazhdojë me shqyrtimin dhe miratimin e disa projektligjeve. (Kosovapress)

LDK përplaset me Editen

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas një pauze prej 20 minutash, është kthyer në Kuvendin e Kosovës dhe ka goditur Zëvendëskryeministren Edita Tahiri.

Në emër të LDK’së, Ismet Beqiri ka drejtuar vërejtje ndaj udhëheqësit të seancës, Xhavit Halititi dhe ka thënë se reagimi i Edita Tahirit ndaj deklaratave të zyrtarëve të LDK’së ishte i paarsyeshëm.

Ismet Beqiri dhe Edita Tahiri kanë replikuar në Kuvend, kur zyrtari i LDK’së ka thënë se atë që po e bën Zëvendëskryeministrja është “shutle diplomaci” e saj e jo e Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Edita Tahiriti.

Ajo ka ironizuar me deklaratat e Ismet Beqirit, duke i thënë se paska mësuar dicka nga gjuha angleze dhe ajo diplomatike.

Më pas ka ndërhyrë udhëheqësi i Seancës, Xhavit Haliti, duke mos ia dhënë fjalën Ismet Beqirit.

LDK lëshon seancën parlamentare

Grupi më i madh opozita në Kuvendin e Kosovës ka braktisur seancën parlamentare në shenjë pakënaqësie me Kryenegociatoren Edit Tahiri.

LDK ka kërkuar më shumë sqarime për procesin negociator por Tahiri ka refuzuar të raportoj.

Si rezultat, LDK ka dal nga salla.

Kuvendi, rezolutë ku kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve serbe

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme pritet që të miratojë një rezolutë me të cilën do të kundërshtojë zgjedhjet serbe të paralajmëruar të organizohen edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Edhe shtyrja e seancës për më shumë se një orë ishte pikërisht për shkak të harmonizimin të qëndrimeve mes grupeve parlamentare për këtë rezolutë. Mësohet se të gjitha grupet parlamentare e kanë mbështetur këtë rezolutë, ndërkohë Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë disa vërejtje.

Që në fillim të seancës, deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca ka ngritur çështjen e zgjedhjeve të paralajmëruar serbe në territorin e Kosovës.

“Zgjedhjet serbe janë një turp për Qeverinë e Kosovës, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Edhe BE-ja duhet të mendoj se si mund t’ia jep statusin e kandidatit një vendi që shtetin tonë që e kanë njohur 23 shtete të BE-së e ka në kushtetutën e vetë, kurse në anën tjetër mban zgjedhje në republikën tonë”, tha Konjufca.

Ndërkohë, deputetët në fillim të seancës paraqitën çështje të ndryshme.

Në seancën e sotme në rend dite për shqyrtim të dytë është edhe Projektligji për transmetuesin publik.

Komisioni për media i kuvendit të Kosovës në fillim të javës ka shqyrtuar projektligjin për transmetuesin publik në Kosovë të propozuara nga zyra e kryeministrin ku me shumicë votash është miratuar amendamenti për zgjedhjen e drejtorit për kanalin serb në RTK.

Drejtues të menazhmetit të RTK-së kanë kërkuar edhe mbështetjen urgjente financiare për mediumin publik e cila do ta stabilizonte gjendjen dhe do t’i hapte rrugë RTK-së për hapjen e kanaleve të reja. (RTK)

SHPËRNDAJE