Është mbajtur mbledhja e parë e Qeverisë së Kosovës pas tensionimit të situatës në veri të e vendit ku edhe u vra një shqiptar. Kryeministri, Hashim Thaçi me t’u kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka folur rreth zhvillimeve dhe incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës. Thaçi vrasjen e Silver Haradinajt në banesën e tij, e ka quajtur akt kriminal dhe terrorist. Ndërkohë që ka kërkuar nga drejtësia ta thotë fjalën e saj dhe përgjegjësitë t’i sjellë para gjyqit. Kryeministri njoftoi se familjes Haradinaj u janë ndarë 9 e 500 euro ndihmë.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Thaçi ka thënë se Serbia asnjëherë nuk do të mund të mbaj zgjedhje edhe në vendin tonë. Megjithatë ai ka kërkuar që qytetarëve serb që kanë dy nënshtetësi t’u mundësohet votimi nga ana e OSBE-së.
Ndërsa, gjatë konferencës me gazetarë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka demarkuar shkrimet në media se njësia speciale e policisë së Kosovës ROSU në Mitrovicë është kontrolluar nga KFOR-i. Madje Kuçi i ka bërë thirrje KFOR-it që ta kryej detyrën e vet në ndjekje të kriminelëve.
Ndërsa se a do të ndërmerret ndonjë operacion nga qeveria e Kosovë sikur ai i vitit të kaluar , Kuçi nuk e ka pohuar e as mohuar një gjë të tillë.
Kuçi tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të dialogoi me qytetarët e pjesës veriore, por sipas tij asnjëherë me Serbinë pasi nuk është pjesë e saj. Sipas Kuçit bisedimet për veriun nuk kanë qenë e as nuk janë në agjendën e Prishtinës zyrtare.

SHPËRNDAJE