Katër pikëshi i presidentit serb, Boris Tadiq edhe njëherë është zënë në gojë nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ky plan dhe çfarëdo plani që propozon Serbia është i papranueshëm për autoritetet e Kosovës, madje ai i ka propozuar Serbisë që të mos humbas kohë me çështjen e Kosovës pasi koha e saj për të vendosur për Kosovën, tashmë ka përfunduar.

Këto komente kryeministri i vendit i ka bërë të mërkurën në mbledhjen e qeverisë, duke thënë se Serbia nuk duhet të merret me hartimin e planeve për Kosovën, pasi, siç ka thënë ai, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

“Ky plan dhe çfarëdo plani tjetër që propozohet nga Serbia është i padiskutueshëm dhe i papranueshëm për ne. Kjo për faktin se Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran dhe vendos vet për çështjet e veta. Serbia duhet ta ketë të qartë se nuk duhet të humbasë kohë as mund për të përgatitur plane për Kosovën. E kaluara jonë me Serbinë është e paharrueshme në kuptimin negativ. Janë të paharrueshme edhe planet që ka pasur Serbia për një shekull të tërë”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Serbia në shekullin e kaluar ka përpiluar me qindra plane për Kosovën të cilat kanë pasur vetëm një qëllim, pushimin e Kosovës dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova.

I pari i qeverisë, gjithashtu ka thënë se koha kur Serbia ka bërë plane për Kosovën ka përfunduar dhe ajo nuk do të kthehet më kurrë, andaj nuk ia vlen as që të merremi me planet e Serbisë.

“Tash këto fjalë sot i thashë për arsye se po ekzagjerohen idetë që dalin të mbrapshta në Beograd dhe po krijohet një keqkuptim në Prishtinë në raportet politike, sepse Prishtina në mënyrë unike është shumë e qartë në planet e Serbisë për Kosovën. Është fundi i kohës të merremi me çdo deklarim të zyrtarëve të Beogradit për Kosovën”, ka theksuar ai.

Pas mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për media, ka dal zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi. I pyetur nga gazetarët në lidhje me planet e Serbisë për të festuar, siç deklarojnë ata, 100 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kuçi ka thënë të jetë i befasuar me një gjë të tillë, ndërsa më pas ka kërkuar nga shteti serb që të kthjellen dhe të mos merren me të tjerët.

“Mu po me befason nëse ata mendojnë që është 100 vjetori i çlirimit të Kosovës. Por besoj që Serbia do të kthjellet dhe të merret me veten dhe jo me tjerët. 100 vjet kanë gabuar me neve dhe besoj që mos të gabojnë”, ka deklaruar Kuçi. /kosovapress/

SHPËRNDAJE