Viti i ri 2011 duket se ka nisur mbarë për punonjësit e të gjitha kategorive në Kosovë.

Qeveria miratoi të enjten propozim/vendimin e kryeministrit në largim për rritje pagash për arsimin parauniversitar me 50%, policinë me 40% dhe punonjësit e shëndetësisë me 30%.

Rritje të pagës prej 30 për qind do të gëzojnë edhe nënpunësit civilë, administrata tatimore, oficerët doganorë, zjarrfikësit, si dhe minatorët sipas memorandumit të nënshkruar dhe veteranët e luftës pas miratimit të ligjit për vlerat e luftës. E gjithë kjo ka një kosto buxhetore në mbi 100 milionë euro.

“Gjithcka është brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Do të shpenzohen 100 milionë euro. Gjithcka është e pastër dhe qartësia nuk ka qenë kurrë më e madhe”, deklaroi kryeministri në ikje Hashim Thaci.

Ngritja e pagave vjen në një moment kur qeveria e Kosovës është në fundin e mandatit të saj dhe projektbuxheti për vitin 2011 ende nuk është miratuar.

Burime qeveritare thonë se kjo nuk paraqitet si problem potencial sepse institucionet do të krijohen deri në fund të janarit dhe pastaj do të miratohet buxheti.

SHPËRNDAJE